Site icon Telegrafi

Serbi i dyshuar për krime lufte në Kosovë, përballë dëshmive të fqinjit të tij

I dyshuar për krime lufte në Kosovë në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës (Therandës), Bogdan Mitroviq, i arrestuar ditë më parë, është duke u mbajtur në paraburgim.

Avokati i tij, Dejan Vasiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. Ndërkohë që një nga fqinjët e tij pretendon se është dëshmitar për veprat penale të Mitroviqit, që ndërlidhen me kime lufte gjatë vitit 1999.

Mitroviq ishte arrestuar më 28 gusht, përderisa me një grup të serbëve po vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të Komunës së Suharekës.

Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

I pandehuri Mitroviq, sipas Gjykatës Themelore në Prizren, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale, krime lufte kundër popullsisë civile sepse, me datën 02 prill 1999, në fshatin Sopi, ishin vrarë 32 persona civilë të paarmatosur nga ana e forcave të armatosura serbe.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informatë për personin me emrin, Mitroviq dhe implikimeve të tij në krime të luftës në Kosovë.

“Në momentin që është bërë publik lajmi se është arrestuar, ne kemi shikuar bazën e të dhënave nëse kemi diçka, por nuk figuron në asnjë nga dokumentacionet tona, as në deklaratat. As në dokumentacionet tjera të çfarëdo lloji, emri i tij nuk përmendet askund. Ne nuk kemi asnjë të dhënë për të, por nuk do të thotë se ai nuk është i përfshirë, pasi që ne nuk jemi Prokurori apo polici për t’i pasur të gjitha të dhënat e sakta”, ka thënë Blakaj.

Xheladin Sadikaj nga fshati Sopi, pretendon se është njëri nga dëshmitarët e veprave penale për krime luftë me të cilat dyshohet Bogdan Mitroviq.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai tha se Mitroviq duhet të përgjigjet për veprat që i ka kryer gjatë luftës kundër popullatës civile, kundër popullatës së pambrojtur të fshatit Sopi.

Sadikaj tha se Bogdan Mitroviq ka qenë një prej organizatorëve të masakrës së fshatit Sopi.

“Jo vetëm unë, por ka shumë e shumë dëshmitarë të tjerë që vërtetojnë fajësinë e tij. Ky është person i cili është identifikuar. Ai mund të bashkëveprojë me institucionet tona të sigurisë, me gjykatat dhe prokurorinë dhe të vë në shesh të gjithë ata personat të tjerë, pasi që një person i vetëm ka qenë e pamundur të bëjë 32 vrasje”.

“Ka dëshmitarë okularë, ka dëshmitarë të cilët e kanë parë, janë dokumentacionet të cilat janë gjetur pranë arkivave që i kanë lëshuar nga vendet përgjegjëse me organizim, me operativën që e kanë pasur dhe me kandidatët që duhet të eliminohen”, thotë Sadikaj.

Ndërkohë, avokati i Mitroviqit, Dejan Vasiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se lënda e Mitroviqit është ende në fazën e hershme të hetimeve dhe se, sipas tij, ende nuk është përcaktuar pjesëmarrja e tij eventuale si pjesëmarrës (në vepër).

Ai ka thënë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm.

“Atë, një fqinj i tij e ka cilësuar si person që ka marrë pjesë në një ngjarje që ka ndodhur në vitin 1999”, ka thënë Vasiq.

Por, sipas tij, ky dëshmitar nuk ka arritur ta vërtetojë se ka parë vet atë që ka ndodhur, por më shumë ka dëshmuar në bazë të atyre që ka dëgjuar.

“Kjo për mua nuk mund të ketë ndonjë peshë të rëndësishme”, ka thënë avokati Vasiq.

Sidoqoftë, ka nënvizuar ai, edhe kjo dëshmi ishte cilësuar e mjaftueshme që në këtë fazë të ngritët procedura hetimore.

Megjithatë, ai ka shprehur edhe habinë e tij se si dëshmitari, Xheladin Sadiku gjatë gjithë këtyre viteve ka heshtur, edhe pse është takuar me Mitroviqin dhe ka vendosur që të dëshmojë në gjykatë pas 18 vjetësh.

Sipas tij, kjo mund të lidhet edhe me probleme pronësore, pasi që Mitroviq, ka thënë ai, ishte afër procedurës për largimin e Sadikut nga lokali, të cilin ai thotë se e kishte uzurpuar.

Megjithatë, Xheladin Sadikaj thotë se prona e Bogdan Mitroviq është e lirë dhe nuk është e uzurpuar.

“Prona është e hapur, le të kthehet kur të dëshiron, askush nuk mund t’i thotë që nuk është prona e tij. Askujt nuk i ndalohet e drejta e kthimit. Kosova është e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar të kthehen, të cilët nuk kanë kryer krime, madje edhe atyre që përballen me drejtësinë”, thekson Sadikaj.

Bogdan Mitroviq, po mbahet nën masën e paraburgimit. Pritet që organet e drejtësisë të vendosin rreth masave të mëtutjeshme.

Exit mobile version