Interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me dokumente pas liberalizimit të vizave në Kosovë, është rritur dukshëm. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rreth 270 mijë qytetarë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta dhe afro 130 mijë të tjerë me letërnjoftime.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe edhe qytetarët serbë kanë shprehur interesim të integrohen dhe të pajisjen me dokumente të Kosovës.
Kështu bënë të ditur drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj në një intervistë për kp derisa tregon se fluksi më i madh i qytetarëve me kërkesa për dokumente ka qenë në muajt janar, shkurt dhe mars, të këtij viti.
“Kërkesat për pajisje me dokumente që nga janari kanë shkuar në ngritje, kështu që këtë vit kemi ngritje të kërkesave. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë aplikuar diku rreth 125 mijë e 143 qytetarë për letërnjoftime. Ndërsa, për t’u pajisur me pasaporta, diku kanë aplikuar 263 mijë e 850 qytetarë. Kjo është totali i gjashtëmujorit të parë. Tani jemi në normalitet, por kërkesat në fillim ishin shumë të mëdha, patëm një farë afati të stërzgjatur në pajisje me dokumente të qytetarëve, që iu desh të prisnin, por tani jemi në afat ligjor. Pothuajse, afati për pajisje me pasaporta shkon diku 7 ditë pune, gjithashtu edhe për letërnjoftime. Muaji janar, shkurt dhe nga mesi i marsit, ishte fluksi më i madh i qytetarëve për t’u pajisur me pasaporta, sepse ishte edhe liberalizmi i vizave”, thotë Camaj.
Camaj potencon se pas liberalizmit të vizave në Kosovë, është vërejtur interesim edhe nga qytetarët serbë për marrjen e dokumenteve të Kosovës.
Ai thekson se rreth katër mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për letërnjoftime në komunat veriore, ndërsa mbi tre mijë janë pajisur me pasaporta.
“Edhe qytetarët serbë janë të interesuar të integrohen dhe të pajisen me dokumente (të Kosovës). Sidomos pas liberalizmit të vizave, qytetarët serbë kanë aplikuar nëpër komunat veriore, mendojnë diku rreth 4 mijë qytetarë janë pajisur me letërnjoftime. Ndërsa, me pasaporta që në mujorin e parë janë pajisur diku rreth 3 mijë e 200 qytetarë. Qytetarët serbë gjithashtu janë të pajisur diku në 4 komuna veriore me letërnjoftime mbi 46 mijë qytetarë, me pasaporta janë mbi 7 mijë e 500. Ndërsa, në komunat me shumicë serbe në tërë territorin e Kosovës, janë të pajisur rreth 102 mijë me letërnjoftime dhe mbi 37 mijë me pasaporta”, potencon ai.
Ndër të tjera, në intervistën për kp, Camaj tregon se afro dy mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për komvertimin e patentë shoferit, që nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në muajin maj.
Ai potencon se nga viti 2011 deri në 2020-ën, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shoferë.
“Patentë shofer, nëse mendojmë konvertimi i patentë shoferëve që nga 10 maji kur është nxjerrë vendimi i ministrit për t’ia mundësuar qytetarëve serbë konvertimin nga patentë shoferët e strukturave jolegale të Republikës së Kosovës, deri më sot (05 korrik) kanë aplikuar rreth 1 mijë e 956 qytetarë. Konvertimi i tyre është bërë nëpër faza, sidomos në bazë të marrëveshjeve. Diku në marrëveshjet e para që nga viti 2011 deri në 2020, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shofer”, tregon Camaj.
Përveç këtyre, Camaj thotë se në muajt e parë të këtij viti, për shkak të fluksit të madh të qytetarëve për dokumente, procesi shkonte më ngadalë, porse shton se tanimë gjërat i janë kthyer normalitetit.
Ai optacon se afati për pajisje me pasaporta dhe letërnjoftime shkon në afro shtatë ditë pune.