Site icon Telegrafi

Serbët nga Kosova nisen me autobusë për të votuar në Serbi, kolona në Jarinje dhe Merdare

Shumë autobusë të mbushur me qytetarët serb janë nisur sot nga veriu i Mitrovicës për në Serbi, për të votuar në referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Serbët e Kosovës do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në qendrat e votimit në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë.

E shkuarja e qytetarëve serb me autobusë në këto vende, ka shkaktuar kolona të gjata në pikat kufitare në Jarinje dhe Merdare.

Lexo po ashtu Njësia Speciale vendoset në veri të vendit, autoblinda të shumta janë parë afër Zveçanit

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, raportohet se në dalje të këtyre dy pikave kolona është e gjatë nga 100 deri në 200 metra, kurse pritjet janë 15 deri në 60 minuta, shkruan Telegrafi.

Gjatë ditës sot në Mitrovicë qytetarët serb kishin mbajtur një tubim simbolik, ku kishin kundërshtuar vendimin e shtetit të Kosovës, që referendumi serb të mos mbahet këtu. Pas tubimit kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka paralajmëruar reciprocitet.

Grumbullime të serbëve ka pasur edhe në disa komuna tjera si në Gorazhdevc të Pejës, në Klinë, Istog e disa qytete tjera.

Lexo po ashtu Ndalimi i referendumit serb në Kosovë, protestë në veri të Mitrovicës

Të gjitha këto tubime kanë përfunduar pa incidente. Edhe forca të shtuara të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë parë në veri të vendi. Autoblindat e tyre janë parë në afërsi të Zveçanit, ku po monitorojnë situatën nga afër.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës dje miratoi rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese. /Telegrafi/

Exit mobile version