Site icon Telegrafi

Serbët marrin tregun e kokainës në Prishtinë

Burime të Policisë së Kosovës thanë se mafia serbe është përqendruar në dy pika të shitjes së kësaj droge rreth Prishtinës, Graçanicë dhe Çagllavicë dhe ka hyrë fuqishëm në treg me çmime gati dyfish më të lira se shpërndarësit shqiptarë të drogave në kryeqytet.

" Kemi informacione të sakta se serbët po e shesin një gram kokainë me vetëm 35 euro, ndërkohë që shpërndarësit shqiptarë e shesin nga 50 deri në 100 euro gramin, varësisht nga pastërtia e drogës. Ky çmim i lirë dhe cilësia e drogës që po e shesin mafiozët serbë ka bërë që një pjesë e konsumuesve të kësaj droge të orientohen për furnizim drejt këtyre dy bazave serbe", ka thënë “Qendra.Info”, një burim nga Policia e Kosovës.

Sipas tij, korrierët serbë të drogës furnizojnë klientët e tyre edhe brenda qytetit.

"Ndodh që klientët ta porosisin nga qyteti dhe brenda një kohe të shkurtër shpërndarësit serbë ta sjellin në secilin vend. Normalisht që duhet të njihesh pak, por duket se mafiozët serbë nuk e kanë aspak problem të lëvizin në qytet", ka thënë i njëjti burim policorë.

Sipas tij, ka dyshime të bazuara se shitja me këtë çmim të lirë të gramit të kokainës dhe cilësia e saj mund të jetë sponsorizuar nga vet segmente kriminale brenda shtetit serb, të cilët kanë qëllime më të mëdha për territorin e Kosovës.

"Serbët mund të sjellin gjithçka nga Serbia dhe nuk kontrollohen nga asnjë person nga kufiri e deri te enklavat e tyre. Kjo ju jep liri të madhe për të punuar në shitjen e drogave", tha ai.

Mediat serbe gjatë këtyre ditëve kanë potencuar forcimin e mafies serbe dhe shtrirjen e saj në zonat ku nuk kanë qenë më parë. Mafia serbe, prej kohësh është e specializuar në tregtinë e kokainës, për shkak të numrit të madh të serbëve që jetojnë në vendet e Amerikës latine, e cila është prodhuese kryesore e kësaj droge. Kriminologu Dusa Davidoviq vlerëson se nëntoka serbe në botë numëron rreth 4 mijë kriminelë, prej të cilëve gjysma janë në Evropë. Për shembull, në burgjet australiane qëndrojnë 1.450 kriminelë serbë, kurse në ato amerikane disa qindra. Vetëm në një burg në qytetin suedez Goteborg aktualisht janë 25 serb të dyshuar apo të gjykuar për tregti me droga. Në Suedi kohë më parë janë gjykuar 57 pjesëtarë të një klani mafioz, i cili ka prodhuar dhe paketuar drogë në gjashtë vende evropiane.

Narkomafia serbe operon edhe në Bullgari, Slloveni, Çeki, Sllovaki, Zvicër dhe në Maqedoni. /Telegrafi/

 

Exit mobile version