Telegrafi

Serbët lëshojnë konferencën ndërkombëtare, irritohen nga prania e ministrit Limaj

Ministri Limaj të mërkurën gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin slloven, Zhiga Turk, ka deklaruar se vendi ynë mirëpret investimet e huaja, andaj biznesi slloven duhet të shfrytëzojë përparësitë e veta në tregun kosovar.

Në seancën e sotme të konferencës së Qendrës Evropiane për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, ministri Limaj, gjatë fjalimit të tij me temën “Kosova dhe sfidat e saj në anëtarësimin në Unionin Evropian”, tha se Kosova ka shënuar progres të dukshëm në fushën e transportit dhe telekomunikacionit.

“Pasi që periudha aktuale dhe ajo pasuese cilësohen si fundamentale për optikën e euro-integrimeve, rëndësi e veçantë po i kushtohet dhe do t’i kushtohet ndërtimit, zhvillimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit të transportit dhe të atij të telekomunikacionit, si rrjete themelore e vitale të lidhjes dhe të komunikimit efikas ndërnjerëzor, të kohezionit ekonomik dhe të evolucionit të qëndrueshëm social”.

Kreu i MTPT-së, tha se Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm tezën se infrastruktura transportuese është parakusht i domosdoshëm për një zhvillim të mbarë ekonomik të vendit tonë, si dhe për integrim funksional me infrastrukturën transportuese rajonale dhe atë evropiane.

Ndryshe vizita zyrtare e ministrit Limaj në Slloveni po realizohet me ftesë të ministrit slloven të Shtetit, Zhiga Turk, Odës Ekonomike Sllovene, si dhe “Tehnopolisit” nga Celja e Sllovenisë. /Telegrafi/