Telegrafi

Serbët e veriut kërkojnë kthimin e KFOR-it rus

“Nga forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë presim që të përmbahen nga lëvizjet e njëanshme dhe që me kohë ta pengojnë secilën përpjekje të të ashtuquajturave autoritete në Prishtinë, që me aksione të dhunshme ta rrezikojnë paqen dhe sigurinë në pjesën veriore të Kosovës dhe në mjediset e tjera serbe”, thuhet në konkluzionet e këtij takimi të mbajtur në Leposaviq.

Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës.

Siç raporton agjencia Beta, pjesëmarrësit në tubim kanë shfaqur kënaqësi për unitetin të cilin e ka treguar kreu shtetëror i Serbisë dje në Bruksel.

Është kërkuar që misioni EULEX të zëvendësohet me UNMIKU-un dhe që në mjediset serbe të kthehet kontigjenti rus i KFOR-it, i cili siç theksohet, “për popullin serb do të ishte garancë e paqes dhe sigurisë”. /Telegrafi/