Caktimi i kufijve kadastral midis pjesës veriore dhe jugore të Mitrovicës, nuk është përcaktuar saktësisht, gjë që “ka shqetësuar 70 familje serbe” në fshatin Suhodoll, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.
Përfaqësuesi i serbëve nga Suhodolli, Miço Kragoviq, ka thënë se ata shpresojnë që kjo nuk është zgjidhja përfundimtare.
“Dikush i ka dhënë vetes të drejtë të tërheq një vije këtu mbi shtëpinë tonë, në mënyrë që të vendoset pjesa veriore e Mitrovicës. Të gjithë kemi shtëpitë në jug, ndërsa toka jonë në veri do të mbetet e papunueshme”, ka thënë Karagoviq.
Ndërsa, kryetari i Jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë që kjo çështje është bërë me marrëveshje, që është e përcaktuar nga Plani i Ahtisaarit, sipas të cilit shtëpitë e serbëve nga Suhodolli i përkasin kadastrit së Komunës që ai drejton.
Për shkak të kësaj ndarjeje kadastrale në mes të dy komunave, serbëve në Suhodoll u bie që të kenë shtëpi që i përkasin Komunës në pjesën jugore të qytetit dhe tokë në komunën veriore e Mitrovicës .