Takimi mes presidentit amerikan Doanld Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, gjatë këtij muaji në Helsinki, sipas mediave serbe po shihet si një shans i madh për zgjidhjen e çështjes së Kosovës deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Gazeta serbe ‘Blic’, duke u thirrur në burime diplomatike serbe, shkruan se ky është tani për tani plani, por edhe plani kreut shtetëror serb dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të zgjidhur çështjen me një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.
“Evropa nuk e ka as forcën, as vullnetin, as aftësinë për të shtyrë shqiptarët të bëjnë diçka. Prandaj ideja është që për këtë çështje shumë të rëndësishme për neve, të dakordohen Putin dhe Trump, pastaj Evropa ta pranojë atë si zgjidhje përfundimtare. Sytë e të gjithëve janë fokusuar në takimin e Helsinkit më 16 korrik”, i ka thënë gazetës beogradase, një burim nga qarqet diplomatike serbe, përcjell Telegrafi.
Sipas gazetës, “kjo praktikisht do të thotë se procesi do të shkojë me rrjedhën e kundërt, gjë që nuk do të ishte problem nëse do të arrihej rezultat. Është e qartë se dy presidentët për temën e Kosovës kanë një minutë apo disa fjali, por sipas fjalëve të bashkëbiseduesit tonë të mirë informuar, ajo është e mjaftueshme për të lëvizur nga pika e vdekur dhe të afrohemi bile një hap më afër një zgjidhje”.
“Trump dhe Putin do të vendosin për Kosovën deri në fund të vitit. Ky është një shans serioz për të gjetur një zgjidhje. Janë të kota opsionet e ofruara nga BE, kur asnjëra palë nuk pajtohet”, thotë i njëjti burim.
Siç merret vesh, Vuçiq javën e kaluar ka folur përmes telefonit me John Bolton, Këshilltarin e Trumpit për Sigurinë Kombëtare. “Edhe pse detajet e bisedës dhe deri më tani ka mbetur prapa dyerve të mbyllura, fakti që Bolton është një njohës i madh i Ballkanit, kupton çdo gjë që po ndodh këtu dhe ka qëndrim miqësor, do të mund të shkrijë palën amerikane”.
“Vuçiq i ka kërkuar Boltonit ndihmë lidhur me problemin e Kosovës. Presidenti është në frikë të vazhdueshme nga një sulm i mundshëm nga ana e shqiptare të veriut të Kosovës, sidomos pas asaj që ndodhi me Marko Gjuriqin dhe Aleksandar Vulinin, edhe pse vizitat e tyre ishin të rregullta dhe në përputhje me procedurën e shpallur. Ka humbur besimi, Vuçiqi nuk u beson asgjë shqiptarëve, por as pajisja gjithnjë e më e mirë e Ushtrisë së Serbisë nuk kryen shumë punë, sepse çfarëdo konflikti do të nënkuptonte fundin e progresit tonë ekonomik dhe rrugës evropiane, për çka është i vetëdijshëm presidentit ynë”, thotë bashkëbiseduesit i gazetës serbe. /Telegrafi/