Site icon Telegrafi

Serbët e pësojnë edhe më keq nga FIFA – Dënohet Federata, kryetari i saj, trajneri dhe sjelljet e tifozëve

Foto: Telegraf.rs

Shtëpia më e madhe e futbollit në botë [FIFA] ka shqiptuar dënime edhe për ekipin kombëtar të Serbisë, ku përfshihet federata, kryetari i saj dhe trajneri.  

Gjatë ditës së sotme (e hënë) FIFA ka publikuar dënimet në lidhje me hetimet e bëra në ndeshjen Serbi-Zvicër e vlefshme për grupet në Kupën e Botës “Rusia 2018”.

FIFA u shqiptoi gjoba dy lojtarëve me prejardhje shqiptare, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit me nga 10 mijë frang, ndërsa Stephan Lichtstenerin me pesë mijë frang për festimet e tyre me shqiponjë.

Lexo po ashtu Zyrtare: Dënohen me para Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner për festën me shqiponjë
Festimet e Xhakës dhe Shaqirit (Getty Images)

Megjithatë, pa dënime me të holla nuk mbeten as serbët, të cilët e pësuan edhe më keq.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Slavisa Kokeza, dhe trajneri i Serbisë Mladen Krstajic u gjobitën me nga 5 mijë frang të dy.

Mladen Krstajic (Getty Images)

Këto dënimet për dyshen e serbëve erdhën pas komenteve të tyre pas humbjes 2-1 të së premtes nga Zvicra.

Lexo po ashtu Nenet e Kodit disiplinor që mund t'i dënojnë Xhakën dhe Shaqirin, por edhe Serbinë dhe trajnerin Mladen Krstajic

Kokeza dha një intervistë në mediumi britanik BBC, në të cilën ai akuzoi FIFA-n, trupin udhëheqës botëror të futbollit, për paragjykime dhe anshmëri kundër vendit të tij.

Edhe Federata u dënua shkaku i sjelljeve të tifozëve (Getty Images)

Edhe Federata e Futbollit të Serbisë gjithashtu u gjobit me plot 54 mijë frang për sjelljen e tifozëve të tyre gjatë lojës – shfaqjen e banderolave diskriminuese dhe hedhjen e gjësendeve në fushë. /Telegrafi/

Exit mobile version