Në magjistralen Mitrovicë- Zubin Potok, rreth orës 17:00, disa qytetarë serb e kanë bllokuar rrugën.
Bllokimi i rrugës është bërë te pompa e karburanteve në Zubin Potok, ku janë vendosur dy kamionë transportues për ta ndalur qarkullimin në këtë rrugë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.
Ndërkaq, siç merr vesh Telegrafi, në Zubin Potok janë rreth 200 qytetarë serb, të cilët kanë vendosur dy kamionë në hyrje të Zubin Potokut, për bllokim e rrugës.
Protesta e serbëve zhvillohet në ditën kur Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi Liqenin e Ujmanit dhe pikën kufitare Bernjak.
Po ashtu protestuesit kanë deklaruar se rruga është bllokuar edhe për të ndalur qarkullimin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Kujtojmë se presidenti Thaçi nga atje deklaroi se Kosova është unike dhe e pandarë dhe se për të ishte kënaqësi që t`i shijonte bukuritë e natyrës në atë pjesë të veriut të vendit.
“Është një vizitë krejt normale në mrekullitë e vendit tim që ja vlen për t`i vizituar të gjithë qytetarët e vendit tim. Edhe sot nga ky vend i mrekullueshëm i Republikës së Kosovës dërgoj mesazhin më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova është një unike e pavarur sovrane”, deklaroi Thaçi. /Telegrafi.