Telegrafi

Sepse fitorja ishte për të gjithë – Milot Rashica dhuroi emocione teksa nxitoi të përqafonte fansat më të veçantë të Kosovës

Milot Rashica ishte njëri prej futbollistëve më të mirë në ndeshjen eliminatore për ‘Euro 2020’ kundër Malit të Zi.

Në përballjen e zhvilluar të hënën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, futbollisti vushtrrias luajti 90 minuta dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në fazën e sulmit.

Ndonëse nuk arriti të shënojë apo asistojë, super-ylli i Werder Bremenit u urua për paraqitjen e tij në fitoren 2-0 të Kosovës kundër malazezëve.

Pas ndeshjes, Rashica nuk ngurroi ta tregojë dashamirësinë e tij me të gjithë tifozët.

Madje, ai ishte ndalur në stadium për të bërë disa fotografi edhe dy persona me aftësi të kufizuara.

Dy prej fotografive, 23-vjeçari tashmë i ka publikuar në rrjetin social “Instagram”.

Ndryshe, me fitoren kundër Malit të Zi, Kosova renditet në vendin e tretë në grupin A me 11 pikë të tubuara.

Kosova dy ndeshjet e radhës i zhvillon përballë Republikës së Çekisë si mysafir në Plzen  dhe ndaj Anglisë në Prishtinë. /Telegrafi/