Mbrojtësi i ri i Real Madridit, Raul Asencio, i cili u promovua në formacionin startues këtë sezon nga Carlo Ancelotti dhe parashikohet të ketë një të ardhme të ndritur futbollistike, po përballet me akuzat për shpërndarjen e një videoje seksuale që përfshin një 16-vjeçare.
Lojtari i Real Madridit ka kërkuar që çështja të mbyllet, por kërkesa e tij është refuzuar, transmeton El Pais.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi në qershor të vitit 2023 në Gran Canaria, ku Asencio dhe tre lojtarë të tjerë filmuan veten duke bërë seks me dy vajza, njëra prej të cilave ishte e mitur. Akuza kundër Asencios ka të bëjë me shpërndarjen e asaj videoje përmes WhatsApp.
Mbrojtja e tij pretendon se nuk ka prova të mjaftueshme, pasi video nuk është gjetur gjatë hetimeve. Megjithatë, gjykata hodhi poshtë kërkesën për të pezulluar procedurën, duke theksuar se kishte “indikacione të arsyeshme” të përfshirjes së tij, duke përfshirë dëshmitë dhe gjurmët dixhitale.
Analiza e telefonave celularë të sekuestruar nga të dyshuarit zbuloi biseda komprometuese që përbënin një grup provash që, të paktën, bënë të mundur të vërtetohej se lojtarët ishin në dijeni të seriozitetit të fakteve për të cilat akuzoheshin, kujton El Pais.
Nëse shpallet fajtor, Asencio mund të përballet me një dënim me burg nga një deri në pesë vjet.
🚨🚨 ÚLTIMA HORA: El juez mantiene la investigación a Raúl Asencio por la presunta difusión de un video sexual de una menor https://t.co/wRyLcZV5WB
— MARCA (@marca) February 11, 2025
Qendërmbrojtësi i ri ka qenë një zbulim te Reali këtë sezon pasi iu dha një mundësi e papritur për shkak të lëndimeve të shumta të mbrojtësve të Realit.
Si shpërblim për paraqitjet e tij të mira, mbretërit po përgatisin një kontratë të përmirësuar për Asencion dhe mbetet të shihet nëse këto akuza do të ndikojnë në të ardhmen e tij te Reali, për të cilin ka luajtur 20 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon. /Telegrafi/