Telegrafi

Senegali ia dedikon fitoren legjendës së tyre Papa Bouba Diop – Koulibaly ka disa fjalë edhe për Sadio Manen

29 nëntori ishte një ditë emocionuese për futbollin në Senegal. Ishte përvjetori i dytë i vdekjes së futbollistit të tyre legjendar Papa Bouba Diop.

Bouba Diop ishte ai që e çoi Senegalin në çerekfinalen e Kupës së Botës në vitin 2002, pasi shënoi kundër Francës.

20 vjet më vonë, Senegali nuk e zhgënjeu atë pasi u kualifikuan tutje në mesin e 16 më të mirave të botës.

Senegali mposhti Ekuadorin 2-1 në stadiumin Khalifa International. Ismaila Sarr shënoi golin e hapjes, ndërsa ishte Kalidou Koulibaly ai që shënoi golin e fitores.

Koulibaly kishte veshur edhe numrin 19 të Diopit dhe ia kushtoi fitoren atij, i cili u nda nga jeta në moshën 42-vjeçare.

“Kjo fitore dhe ky trofe (i lojtari të ndeshjes) janë për familjen e Papa Bouba Diop, kjo është një ditë shumë e veçantë. Ne donim të përkujtonim lojtarin e madh që ai ishte, ai është një legjendë e futbollit senegalez, ai bëri që unë të ëndërroj, ai na bëri të gjithëve të ëndërrojmë”, ka thënë Koulibaly.

Koulibaly tha gjithashtu se skuadrës i ka munguar Sadio Mane, i cili u largua nga turneu për shkak të një dëmtimi.

“Ne luajmë edhe për Sadion, ai është ylli ynë, vëllai ynë, ne jemi një familje. Nuk i harroj të gjithë ata që na ndihmuan të jemi këtu sot”, deklaroi ai.

Senegali do të përballet me kryesuesin e grupit B./Telegrafi/