Telegrafi

Senatorja Ernst mbështet iniciativën e Thaçit për marrëveshjen me Serbinë (Video)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka takuar Senatoren amerikane, Joni Ernst, me ç’rast kjo e fundit i ka konfirmuar mbështetjen e saj për arritjen e një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë si dhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje e cila do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet të rajonit, njofton Klan Kosova.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të dy vendet të arrijnë një marrëveshje. Ne duam paqe dhe stabilitet midis dy Qeverive dhe Presidenti Thaçi është duke punuar shumë në këtë drejtim. Prandaj unë e mbështes këtë iniciativë. Iowa dhe Kosova kanë një marrëdhënie shumë të fortë, prandaj ne duam të shohim paqe dhe prosperitet për të gjithë njerëzit atje”, ka thënë Senatorja Ernst.

“Unë gjithashtu mbështes edhe themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme pasi që unë jam vetë një veterane e Shteteve të Bashkuara. Unë e kuptoj se si një komb duhet ta ketë ushtrinë e vet. Prandaj unë kam qenë mbështetëse e madhe e përpjekjeve të Kosovës në këtë drejtim”.

“Kjo ka qenë një temë, ndërsa tema tjetër ka qenë rreth marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës dhe natyrisht se ne dëshirojmë që ajo të ndodhë. Ne duam t’u ofrojmë ndihmën këtyre dy kombeve. E përsëris se unë dëshiroj paqe dhe prosperitet për njerëzit e Kosovës”.