Senatori amerikan nga Partia Republikane, Marco Rubio propozoi një paketë sanksionesh të reja kundër udhëheqjes ruse dhe personalisht kundër presidentit, Vladimir Putin.
Në draft, Rubio propozon që shërbimi i inteligjencës të informojë Kongresin Amerikan çdo 20 ditë nëse Rusia ka shkelur integritetin territorial të Ukrainës.
Në rast se kjo ndodh, atëherë në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosen sanksione kundër udhëheqjes ruse, kryeministrit, ministrit të mbrojtjes së Rusisë dhe personalisht kundër Vladimir Putinit – prona dhe vizat e tyre do të bllokohen.
Të njëjtat masa propozohen edhe ndaj biznesmenëve rusë që janë nën sanksione që nga viti 2017.
Propozimi është që të vendosen sanksione kur bëhet fjalë për të gjitha operacionet me kompanitë ruse në sektorët e energjisë, financiare, aviacionit dhe hapësirës, si dhe aplikimin e tyre për ofruesit e shërbimeve të specializuara për shkëmbimin e mesazheve financiare (p.sh. SWIFT).
Rubio kërkon gjithashtu vendosjen urgjente të sanksioneve ndaj gazsjellësit “Rrjedha e Veriut 2”. /Telegrafi/