Site icon Telegrafi

Senatori McCain u takua me muxhahedinët në Shqipëri: Një ditë Irani do të jetë i lirë

Vizita e senatorit republikan John McCain në Shqipëri nuk është fokusuar vetëm te takimet me drejtues të politikës vendase, por edhe në një çështje të rëndësishme të interesit amerikan, që ka të bëjë me Iranin, më saktë me ata që kundërshtojnë regjimin e ajatollahëve në Republikën Islamike.

Gjatë ndalesës në Tiranë, McCain, senator i Arizonës, është takuar edhe me një grup përfaqësues të disidentëve iranianë të vendosur në Shqipëri, ditën e premte. Duke folur përpara anëtarëve të “Mujaheddin-e Khalq”, më e madhja e 5 organizatave në Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit, McCain foli mbi pozicionin e tij ndaj regjimit iranian.

“Do të vijë dita që Irani do të jetë i lirë. Do të vijë dita kur ne të gjithë të mblidhemi në sheshin kryesor të Teheranit”, tha McCain. Ai ka përgëzuar pjesëtarët muxhahedinë për spostimin e suksesshëm drejt Shqipërisë nga Iraku, aty ku ishin bërë prè e sulmeve nga milicitë e mbështetura nga Irani.

“Nuk ka dyshim që njerëzit në këtë sallë kanë vuajtur”, tha McCain përpara të pranishmëve, ku ishte edhe presidentja e zgjedhur e grupit, Maryam Rajavi.

“Këta kanë vuajtur jo vetëm në vetvete, por edhe nga humbja e njerëzve të tyre më të dashur për shkak të tiranisë iraniane. Ndaj shpreh ngushëllimet për këdo në këtë sallë, që ka humbur njerëzit e dashur si pasojë e tiranisë apo edhe terrorizmit”, tha ai.

Pas mbledhjes, McCain është takuar më vete edhe me Rajavin. Ndalesa e tij në Shqipëri ishte pjesë e turit që e solli në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu vizitat në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.

Exit mobile version