Site icon Telegrafi

Senatori Graham: Trump, i gatshëm për luftë me Korenë Veriore

Senatori amerikan Lindsey Graham deklaroi sot se presidenti Donald Trump është i gatshëm për luftë me Korenë Veriore, nëse ajo vazhdon të tentojë që të godasë SHBA-të me raketa nukleare.

“Presidenti Trump tha: ‘Nuk do t’ju lejoj të bëni raketën balistike interkontinentale me kokë nukleare, me të cilën do të godisni Amerikën’. Ata do të lëvizin në një drejtim dhe nuk do ta lëshojnë nëse nuk mendojnë se në tavolinë është opsioni kredibil ushtarak”, tha senatori republikan për televizionin NBC.

Graham u shpreh se “ekziston opsioni ushtarak dhe ai është shkatërrimi i programit verikorean dhe i vetë Koresë Veriore”.

Koreja Veriore të premten lansoi raketën interkontinentale, për të cilën thuhet se mund të arrijë në territorin amerikan. Për këtë arsye Trump i shfaqi pakënaqësi Kinës dhe të shtunën tha se nuk do të lejojë më Pekinin “që të mos bëjë asgjë” rreth Koresë Veriore.

“Koreja Veriore do të ndalohet, qoftë ushtarakisht, qoftë në mënyrë diplomatike”, ka thënë presidenti amerikan.

Exit mobile version