Telegrafi

Senatori Graham kundër marrëveshjes me talebanët: Afganistani do të ndahet përgjysmë – mund të çojë në luftë civile

Senatori republikan Lindsey Graham ka paralajmëruar se marrëveshja e paqes midis talebanëve dhe presidentit Donald Trump, që bën thirrje për tërheqjen e SHBA-së dhe trupave të NATO-së, mund të ketë ndikim shkatërrues në Afganistan dhe të çojë në “luftë civile”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, administrata e Trump nënshkroi të shtunën marrëveshjen e kushtëzuar të paqes me talebanët në Katar, në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës.

Mirëpo kundër kësaj ideje po shprehet përkrahësi i Donald Trump, Lindsey Graham me arsyetimin se tërheqja e trupave amerikane do ta ndajë Afganistanin përgjysmë.

“Duhet të bisedojmë me talebanët në tryezë, por nuk duhet t’u besojmë atyre karshi Amerikës”, ka thënë Graham gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit të Fox News & Friends.

“Kemi nevojë që disa prej forcave tona të qëndrojnë atje”, vazhdoi senatori nga Karolina e Jugut, duke shtuar se ish-presidenti Barack Obama dështoi të menaxhonte situatën në Irak.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar me krerët e talebanëve, SHBA dhe aleatët e saj do të tërhiqnin trupat e tyre brenda 14 muajve.

Për më tepër, SHBA ra dakord të heqë sanksionet që synojnë grupin militant ekstremist, dhe të punojë me Kombet e Bashkuara për të hequr sanksionet ndërkombëtare drejtuar krerëve të organizatës.

Në këmbim, grupi nuk do të lejojë që Al-Kaeda ose organizata të tjera ekstremiste të operojnë në një pjesë të madhe të Afganistanit. /Telegrafi/