Telegrafi

Senatori demokrat thotë se amerikanët do të tronditen me të gjeturat e reja për atentatin ndaj Trumpit

Senatori demokrat, Richard Blumenthal, paralajmëroi amerikanët se do të “tronditen” dhe “do të tmerrohen” kur ligjvënësit të publikojnë raportin e tyre mbi atentatin ndaj ish-presidentit, Donald Trump dhe dështimet e sigurisë të atyre që janë përfshirë në mbrojtjen e kandidatit presidencial të republikanëve.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Sekret të SHBA-së, Ronald Rowe, u dha senatorëve një përditësim të enjten mbi hetimin për atentatin e dështuar në një takim me dyer të mbyllura.

“Unë mendoj se populli amerikan do të tronditet, befasohet dhe tmerrohet nga ajo që do t’i raportojmë për dështimet e Shërbimit Sekret në këtë atentat ndaj ish-presidentit”, tha Blumenthal për Fox News.

“Por unë mendoj se ata gjithashtu duhet të jenë të tmerruar dhe të habitur nga dështimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të qenë më i hapur dhe më i sinqertë, siç duhet të jetë për sa i përket dhënies së informacionit”, shtoi ai.

Blumenthal nuk hyri në detaje për atë që mësoi nga takimi i së enjtes. Pavarësisht deklaratave të tij, ligjvënës të tjerë refuzuan të komentojnë se si mund të reagojë publiku ndaj raportit të tyre.

“Do të dalë së shpejti. Dhe do të jetë vetëm një raport i përkohshëm, sepse ka shumë më tepër informacion që duhet të gjejmë”, tha senatori tjetër demokrat, Gary Peters.

Ndryshe, shërbimi Sekret është vënë nën një vëzhgim intensiv mbi gabimet e sigurisë dhe komunikimit që i paraprinë atentatit ndaj 78-vjeçarit më 13 korrik gjatë një tubimi elektoral në Butler, Pensilvani. /Telegrafi/