Senatori australian, Fraser Anning, është dënuar gjerësisht për komentet e tij “të neveritshme” menjëherë pas masakrës fatale në një xhami në Christchurch, Zelandë e Re.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në një deklaratë për media lëshuar këtë pasdite, senatori Anning ka thënë se sulmet theksuan “frikën në rritje për një prani në rritje të myslimanëve” në komunitetet në Australi dhe Zelandë të Re.
Ai vazhdoi të pretendonte shkaktarin e vërtetë të masakrës që la të paktën 49 persona të vdekur, duke thënë se fajtore është pikërisht politika e emigracionit e Zelandës së Re.
“Unë kundërshtoj plotësisht çdo formë dhune brenda komunitetit tonë dhe dënoj plotësisht veprimet e personave të armatosur”, tha senatori Aning. “Megjithatë, ajo që duhet theksuar është frika në rritje brenda komunitetit tonë, si në Australi dhe në Zelandën e Re, të pranisë në rritje të myslimanëve”.
“Shkaku i vërtetë i gjakderdhjes në rrugët e Zelandës së Re sot është programi i emigracionit i cili lejoi që fanatikë myslimanë të emigronin në Zelandën e Re në radhë të parë”, citohet tutje Anning.
Megjithatë, në drejtim të tij kishte shumë kritika.
Njëra ndër to ishte edhe ajo e kryeministrit Scott Morrison, i cili e përshkroi deklaratën si “të neveritshme”.
“Vërejtjet e Senatorit Fraser Anning që për sulmet vrasëse nga një terrorist i dhunshëm, i krahut të djathtë, ekstremist në Zelandën e Re, fajësojnë emigracionin janë të neveritshme”, tha Morrison. /Telegrafi/