Telegrafi

Senatorët amerikanë: Marrëdhëniet tona vetëm do të forcohen edhe më tej, Serbia mos të pengojë Kosovën

Senatorët amerikan, Chris Murphy dhe Gary Peters kanë dhënë mesazhe të fuqishme në Prishtinë, duke rikonfirmuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë krahë për krahë Kosovës.

Dy senatorët amerikan u deklaruan për media pas takimit që kanë pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton Telegrafi.

Senatori Murphy tha para mediave se do të qëndrojnë një javë në rajon dhe vizitën e tyre e kanë nisur në Kosovë.

“Nuk është koincidence që po fillojmë udhëtimin tonë në Kosovë, kjo aleancë është e fuqishme e qëndrueshme dhe është jetike. Kur SHBA ka nevojë për ndihmë, thirrjet tona të para janë në Kosovë. Kosova është ndër shtetet e para që ngritët në këmbë. Është bashkë me SHBA-në”, është shprehur ai.

Senatori shtoi tutje se vlerësojnë punë e Qeverisë për sundimin e ligjit.

“I çmojmë shumë vëmendjen që qeveria po ia kushton sundimin të ligjit, në një rajon kur ka ende nevojë për luftimin e korrupsionit”, potencoi ai.

Murphy tha se do të ndihmojnë Kosovën drejt rrugës së Bashkimit Evropian.

“Do të sigurojmë që ta mbajmë Kosovën drejt Bashkimit Evropian, na vjen mirë që po shohim marrëveshjen me Serbinë”.

Gjithashtu ai tha se Serbia duhet të ndaloj të pengojë të drejtën e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave botërore.

“Mos u lajthitni, marrëdhënia Kosovë – SHBA vetëm do të forcohet edhe më tej. Jemi këtu për të ndihmuar Kosovën”, tha ai.

Ndërsa, senatori tjetër Gary Peters tha se marrëdhënia Kosovë – SHBA është shumë speciale.

“Marrëdhënia jonë është special, dhe kam pasur privilegjin të udhëtoj në gjithë boten, dhe nuk ka vend tjetër në botë që e ndjejmë miqësinë më shumë së këtu. Do të punojmë që ekonomia të lulëzojë, ka shumë fusha ku mund të bashkëpunojmë. Të punojmë edhe me Forcat e armatosura”, u shpreh ai.

Peters shtoi “Luftoni për sovranitetin tuaj, ShBA do të qëndroje krahë për krahë jush”.

Dy senatorët amerikan pritet të takojnë sot edhe kryeministrin Albin Kurti. /Telegrafi/