Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nesër do të mbajë mbledhjen e rregullt, e cila do të kryesohet nga rektori, Marjan Dema.
Si pikë e rendit të ditës do të jetë marrja e vendimit për revokim të gradës shkencore Doktor i Shkencave për kandidaten e doktoruar në Fakultetin Ekonomik, Hysnija Bubulica.
Po ashtu, si pikë e rendit të ditës do të jetë edhe caktimi i numrit të studentëve për pranim në nivelin baçelor për vitin akademik 2017/2018.
E si pikë e ndjeshme në mbledhjen e Senatit do të jetë edhe marrja e vendimit për zgjedhjen e personelit akademik nr. 3/671 të datës 24.11.2016.
Ka gjashtë muaj që Rektorati ka hapur konkurs për avancimin e stafit akademik të UP-së dhe më 8 qershor skadon afati i këtij konkursi.
Mosavancimi i stafit akademik të UP-së nga menaxhmenti aktual, i drejtuar nga Marjan Dema, ka ngjallur mjaft kritika nga senatorët me arsyetim se Rektorati po shkel kriteret e këtij konkursi duke mos avancuar stafin.
Madje në njërën nga mbledhjet e datës 28 prill 2017, për shkak të mospajtimit me menaxhmentin e UP-së, dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe dekania e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, patën lëshuar mbledhjen e Senatit në shenjë pakënaqësie për avancimin e stafit akademik të fakulteteve që ata drejtojnë.
Gjatë ditës së mërkurë pritet që në Senat të diskutohet për konkursin e hapur më 24.11.2016 për avancimin e stafit akademik të UP-së.
Por në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe për transmetimin e drejtpërdrejt të mbledhjes së Senatit që KALLXO.com ka nisur gjatë muajit shkurt.
Kjo çështje është diskutuar në mbledhjen e Kolegjiumit të Dekanëve që koordinohet nga rektori Marjan Dema dhe marrin pjesë prorektorët dhe dekanët e UP-së.
Burimet brenda Rektoratit kanë pohuar se në mbledhjen e Kolegjiumit është thënë që senatorët duhet të votojnë për lejimin e përcjelljes së mbledhjes së Senatit në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Kolegjium është organ joformal dhe nuk merr vendim andaj në mbledhje është diskutuar për prezencën e mediave. Po ashtu është diskutuar që gjatë ditës së mërkurë senatorët të votojnë për xhirimin e mbledhjes së Senatit nga mediat dhe transmetimin e drejtpërdrejtë të kësaj mbledhje”, tha ky burim.
Ideatori për të mos pasur transmetim të drejtpërdrejtë nga mbledhja e Senatit, është dekani i Fakulteti të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Abdullah Zejnullahu. E mbështetje atij i ka dhënë edhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit Musa Selimi, i cili nuk hapi telefonin për t’u përgjigjur rreth kësaj çështjeje.
KALLXO.com ka kontaktuar me dekanin e FNA-së, Abdullah Zejnullahu, i cili ka pranuar se në Kolegjium të Dekanëve ka thënë se nuk duhet të ketë transmetim të drejtpërdrejtë nga mbledhja e Senati nga gazetarët.
“Transmetimi i drejtpërdrejtë nuk është në rregull. Gazetari mund të rri aty, mund të marrë shënime dhe gjatë mbledhjes mund të kërkojë dokumentacione dhe të gjitha vendimet por transmetim të drejtpërdrejtë jo. Arsyen e dini, sepse më kanë thënë prej jashtë se ata e përcjellin në Facebook, aty ka komente dhe fyerje dhe nuk është mirë të shoh dikush”, tha dekani Zejnullahu.
KALLXO. com nga muaji shkurt ka monitoruar mbledhjet e rregullta të Senatit të UP-së duke i transmetuar ato drejtpërdrejt. Po ashtu, KALLXO.com nuk ka lejuar fyerjen e senatorëve gjatë mbledhjeve të Senatit, pasi që të gjitha ato janë larguar nga stafi.
Dekani Zejnullahu ka thënë se ai nuk do të dëshironte t’ua ndalonte gazetarëve përcjelljen e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Senatit gjatë kohës ku po diskutohet për avancimin e stafit akademik të UP-së. Por pas përfundimit të këtij konkursi, Zejnullahu thotë se mediat nuk duhet të bëjnë transmetim të drejtpërdrejtë.
I pyetur se në çfarë ligji apo rregullore është bazuar për propozimin e tij, Zejnullahu thotë se nuk e di.
“Valla nuk e di unë rregulloren veç atë e di që mbledhjet janë të hapura por nuk do të thotë që janë për transmetim të drejtpërdrejtë. Nuk është e thënë me u thirr (në ligj ose rregullore), është mendim i imi”, tha Zejnullahu.
Madje Zejnullahu tha se transmetimet e drejtpërdrejta janë të frymës populiste.
“Çështja e qitjes së të gjitha debateve drejtpërsëdrejti është një lloj i frymës populiste. Fryma populiste kurrënjëherë rezultate nuk ka pasur”, pohoi dekani Zejnullahu.