Senati i Polonisë miratoi një ligj që do të dënojë sugjerimet për fajin polak për krimet naziste të kryera brenda vendit gjatë Holokaustit.
Ligji u miratua të enjten me 57 vota në favor të tij dhe 23 kundër. Dhoma e ultë e parlamentit polak e kishte miratuar atë javën e kaluar. Për të hyrë në fuqi ligji duhet të nënshkruhet nga presidenti Andrzej Duda.
Ligji do ta përcaktoj si krim çdo deklaratë që e quan gjenocidin nazist krim polak, apo që i quan kampet naziste te vdekjes, kampe polake të vdekjes, ndonëse disa nga mizoritë më brutale naziste kanë ndodhur në truallin polak.
Shtetet e Bashkuara janë shprehur të brengosura për ndikimin që mund të ketë kjo masë për lirinë e shprehjes dhe marrëdhëniet e Polonisë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
“E kuptojmë që frazat si ‘kampet polake te vdekjes’, janë të pasakta, çorientuese dhe të dëmshme”, tha të mërkurën zëdhënësja e departamentit amerikan të shtetit Heather Nauert.
“Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm që të mos pengojmë diskutimet dhe komentet mbi Holokaustin. Ne besojmë se debati i hapur, dija dhe arsimi, janë mjeti më i mirë për të kundërshtuar shprehjet e pasakta dhe të dëmshme”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij nuk do të tolerojë “shtrembërimin e të vërtetës, rishkrimin e historisë dhe mohimin e holokaustit”.
Disa ekspertë druajnë se ligji i ri polak mund të nënkuptojë burg për të mbijetuarit e holokaustit kur flasin për përvojat e hidhura të tyre. Masa përjashton punën artistike dhe kërkimore.
Presidenti polak, Duda, tha këtë javë se nuk kishte pjesëmarrje institucionale të Polonisë në holokaust, or pranoi se kishte pasur veprime kriminale ndaj hebrenjve nga disa individë polak.
“Ka pasur disa njerëz të dobët që kanë shitur fqinjët e tyre për para. Por nuk ishte kombi polak, nuk ishte një veprim i organizuar”, tha ai.
Ai nënvizoi se disa polakë sakrifikuan jetët e tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga nazistët dhe se nëntoka polake dhe qeveria në mërgim, u rezistuan përpjekjeve për të zhdukur hebrenjtë evropianë.
Polonia ishte shtëpi e popullatës më të përparuar hebreje para pushtimit gjerman në vitin 1939. Rreth 3 milionë hebrenj u vranë në kampet e vdekjes të ngritura në Poloni. Emrat e disa prej këtyre kampeve, si Aushvici apo Treblinka, përmenden edhe sot me hidhërim. Megjithatë, disa historianë thonë se shumë polakë bashkëpunuan me nazistët në përndjekjen e hebrenjve.
Të mbijetuarit e holokaustit që u kthyen në Poloni pas luftës u përballën me antisemitizëm. /VOA /Telegrafi/