Senati i Italisë ka votuar kërkesën e prokurorëve për të vënë në gjyq liderin e ekstremit të djathtë, Matteo Salvini.
Salvini i cili më parë shërbeu si ministër i Brendshëm i Italisë, është akuzuar për mbajtjen e paligjshme të njerëzve për ditë të tëra, në një anije jashtë Sicilisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, e gjithë ngjarja kishte ndodhur në gusht të vitit 2019.
Raportohet se 116 migrantët kanë qenë të izoluar rreth një javë në anijen Gregoretti.
Të mërkurën, një shumicë e senatorëve votuan që gjyqi i Matteo Salvinit të vazhdojë tutje.
Megjithëse, Salvini vazhdimisht është shprehur se dëshiron të përballet në gjyq, pasi sipas tij politikat e tij të migracionit shpëtuan dhjetëra mijëra jetë.
“Unë jam absolutisht i qetë dhe krenar për atë që kam bërë. Dhe do ta bëja përsëri, sapo të kthehem në qeveri”, ka thënë Salvini.
Senatorët nga partia e tij kanë bojkotuar seancën dhe nuk morën pjesë në votimet e së mërkurës.
Rezultatet e gjykimit priten sot nga ora 19:00, nëse Salvini shpallet fajtor rrezikon të dënohet me 15 vjet burg. /Telegrafi/