Senati miratoi të mërkurën një projektligj që i hap udhë një rritjeje të konsiderueshme të pagave për trupat e reja ushtarake të regjistruara dhe rrit shpenzimet e përgjithshme ushtarake në 895 miliardë dollarë, ndërsa heq mbulimin financiar të trajtimeve mjekësore për ndryshimin e gjinisë, për fëmijët e pjesëtarëve të forcave të armatosura.
Projektligji për buxhetin zakonisht merr mbështetje të fortë dypartiake dhe në gati gjashtë dekada është miratuar përherë në Kongres, por në vitet e fundit është bërë një fushë beteje për çështjet sociale.
Projektligji “nuk është i përsosur, por përfshin disa çështje shumë të mira për të cilat kanë luftuar demokratët”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer.
“Ka masa se si mund të kundërshtojmë Partinë Komuniste të Kinës në pikëpamje të sigurisë kombëtare”.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, shumica e demokratëve votuan kundër projektligjit muajin e kaluar, pasi drejtuesi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnon këmbënguli që në aktin ligjor të përfshihej heqja e mbulimit të trajtimeve mjekësore për ndryshimin e gjinisë, për fëmijët.
Ligji kaloi me lehtësi me 281 vota pro dhe 140 kundër.
Udhëheqësit republikan në Senat argumentojnë se rritja me 1 për qind për shpenzimet për mbrojtjen nuk është e mjaftueshme, sidomos në një kohë të paqëndrueshmërisë globale dhe kur dominimi amerikan po sfidohet.
Republikanët në Senat kishin mbrojtur idenë për forcim të shpenzimeve të mbrojtjes këtë vit dhe planifikojnë një shtysë tjetër për më shumë fonde pasi të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, vitin e ardhshëm.
Buxheti vjetor përcakton politikat kyçe të Pentagonit, por ai duhet të mbështetet edhe nga akte të tjera nën ligjore.
Projektligji parashikon një rritje pagash prej 14.5 për qind për trupat e reja të forcave të armatosura të regjistruar dhe një rritje prej 4.5 për qind për të tjerët.
Ligjvënësit thanë se një rritje e tillë është thelbësore për përmirësimin e cilësisë së jetës së forcave të armatosura në një kohë kur shumë familje ushtarake mbështeten tek programet e ndihmës qeveritare për të përballuar jetesën.
Legjislacioni orienton burime drejt një qasjeje më konfrontuese ndaj Kinës, duke përfshirë krijimin e një fondi që mund të përdoret për të dërguar burime ushtarake në Tajvan, në të njëjtën mënyrë që Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Ukrainën.
Po ashtu, parashikohen investime në teknologji të reja ushtarake, duke përfshirë inteligjencën artificiale, dhe rritje të prodhimit të municioneve në Shtetet e Bashkuara. /VOA/