Dr. Murat Murati
Sëmundjet joinfektive
Gjatë kontrolleve mjekësore te fëmijët janë konstatuar mjaft sëmundje joinfektuese dhe të meta truporeanomali. Nëse në kohë zbulohen ato mund të shërohen dhe të evitohen.
Disa prej tyre mund të pengohen nëse respektohen masat e higjienës shkollore-shërimi në kohë. Nga këto sëmundje dhe të meta do të përmendim: të ushqyerit e dobët, trashësia, prishja e dhëmbëve, deformimet e kurrizit, të metat e syrit, anemia, epilepsia, sëmundjet alergjike, të pirët e duhanit, alkooli, narkomania etj.
Të ushqyerit e dobët
Ushqimi shërben për kryerjen e funksioneve jetësore dhe për rritjen dhe zhvillimin e organizmit. Zgjedhja e tij është punë me rëndësi; nga ajo varet jeta, shëndeti dhe aftësia për punë. Për këtë duhet njohur veçoritë dhe përbërjet ushqimore të produkteve të ndryshme dhe t’i përmbahemi higjienës ushqimore prej në fëmijëri: ushqimi të jetë i shumëllojshëm, i freskët dhe i pastër, të merret në kohë të caktuar dhe në sasi mesatare.
Pra,vetë ushqimi duhet t’i përmbajë të gjithë materiet e nevojshme për fuqi, ndërtim dhe rritje: yndyra, proteina dhe karbohidrate, por edhe materie mbrojtëse: vitamina, kripëra minerale dhe ujë. Nëse ushqimi nuk i përmban këto materie mund të shfaqen sëmundje të ndryshme, me çka humben aftësitë punuese dhe bëhet çrregullimi në rritje dhe zhvillim.
Përveç ushqimit normal,kemi edhe të ushqyerit të dobët i cili kap një përqindje të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Këta nxënës lodhen shpejt, nuk janë të qetë, përqendrohen rëndë, janë të zbehtë, nuk kanë vullnet, janë të plogësht dhe pasiv, rezistenca imunobiologjike është dobësuar, mund të sëmuren shpejt.
Nomeklatura e sëmundjeve për shkak të ushqimit të dobët si dhe ndarja e tyre nuk është definitivisht e caktuar. Në kohën e fundit këto sëmundje ndahen në dy grupe: a) sëmundjet që shkaktohen për shkak të mungesës kalorike dhe b) sëmundjet që shkaktohen për shkak të ndonjë përbërësi ushqimor, proteinave, vitaminave etj.
Prishja e baraspeshës në ushqim bëhet për shkak të shkaqeve primare dhe sekundare. Gjatë shkaqeve primare organizmi pranon sasi jo të mjaftueshme të ushqimit, kurse gjatë shkaqeve sekundare organizmi pranon sasi të mjaftueshme të ushqimit, por gjendja e brendshme në organizëm nuk lejon që ai të shfrytëzohet në mënyrë të drejtë. Në të dyja rastet, për shkak të mungesës së ushqimit, organizmi i shfrytëzon rezervat e veta.
Kur organizmi i shfrytëzon rezervat, atëherë vjen deri te dëmtimi i indeve. Gjatë këtyre dëmtimeve, në fillim vjen deri te prishja e proceseve biokimike, kurse më vonë paraqiten ndryshime funksionale dhe anatomike. Në këtë mënyrë ndërpritet rritja dhe zhvillimi.
Mungesa e ushqimit nuk do të thotë gjithmonë sëmundje, por ajo e ndihmon zhvillimin e shumë sëmundjeve. Nëse ushqimi përmisohet,të gjitha këto procese evitohen dhe vërehet një përmirësim i dukshëm fizik dhe psikik te fëmijët dhe nxënësit, si dhe përparimi i tyre në mësim.
Shëndoshja (majmëria)
Përkundër fëmijëve të cilët ushqehen dobët, ka edhe të tillë që janë të mbushur, sidomos në kohën e adoleshencës. Është e vështirë të japim diagnozë për shëndoshjen në bazë të lartësisë dhe të peshës së nxënësit. Por, megjithatë këto nxënës dallohen nga të tjerët për nga pesha, vëllimi i trupit, shtresat e mëdha dhjamore dhe plogështia.
Nxënësve u duhet më tepër energji për punë, rritje dhe zhvillim. Nëse marrim më tepër materie ushqimore sesa i nevojitet organizmit, atëherë këto shndërrohen në yndyra-shtresë dhjamore. Këta nxënës kanë shprehi të këqija dietale, sepse marrin mjaft ushqim, ose jetojnë në familje ku të gjithë anëtarët kanë dëshirë dhe kënaqen me ushqim të pasur për nga përbërja dhe sasia.
Në kohën e adoleshencës, për shkak të pamjes, ata janë fatkeq, të tërhequr, largohen nga aktivitetet fizike dhe kështu edhe më tepër e keqësojnë gjendjen e tyre.
Prishja e dhëmbëve
Prishja e dhëmbëve është sëmundja më masovike e cila varet nga mënyra e jetesës dhe kushtet materiale dhe kulturore. Shkaktarët e kësaj sëmundjeje duhet kërkuar në mënyrën e të ushqyerit. Ushqimi i sotëm është i butë dhe dhëmbëve nuk u nevojitet fortësi e madhe, prandaj duke u bazuar në ligjet e natyrës ata e humbin këtë veçori.
Dhëmbët e prishur e pengojnë tretjen dhe janë shkaktarë të shumë sëmundjeve të rënda në organizëm: nyjave, zemrës, veshkave, syve, etj. Për këtë shkak zbulimi dhe shërimi është me rëndësi të madhe për zhvillimin e tërë organizmit.
Kjo sëmundje është mjaft e përhapur sidomos në vendet e civilizuara (90-95% ) kurse, sipas disa të dhënave statistikore, fëmijët që kanë mbaruar 6 vjet kapen afër 99%. Kjo sëmundje zbërthen dhe prish (shkatërron) dhëmbin. Zmalti i kurorës në disa vende zbutet – prishet gradualisht. Nëse nuk shërohet prishja mund të vazhdojë deri në pulpën e dhëmbit.
Prishja e dhëmbëve (kariesi) është një prej sëmundjeve e cila paraqitet mjaft edhe te nxënësit dhe në organizëm krijon komplikime të ndryshme,sëmundjen e organeve të tjera, ndikon në humorin subjektiv, pengon gjumin dhe zvogëlon aftësinë punuese. Mbrojtja dhe rezistenca e dhëmbëve varet nga fakti se nëna, gjatë kohës së shtatzënisë është ushqyer me produkte të nevojshme për zhvillimin e eshtrave dhe dhëmbëve (materie minerale, Ca, Pe, Cu, Zn, Fe, dhe vitamina B,C,A,D).
Prej vitit të parë të shkollës fillore çdo vit duhet kontrolluar dhëmbët te stomatologu, në mënyrë që sa më herët të zbulohet prishjakariesi dhe me anën e mbushjes të shërohet, përndryshe mund të shfaqen komplikime të ndryshme dhe atëherë shërimi zgjat më tepër. Te fëmijët e moshës më të re ky kontroll duhet bërë çdo 3 muaj, sepse te ata kariesi zhvillohet shpejt. Po ashtu shërimi bëhet edhe me shtimin e fluorit në ujë, në pastën e dhëmbëve. Për këtë qëllim ka tableta të veçanta të fluorit.
Rakiti
Kjo sëmundje shkaktohet në mungesë të vitaminës D, pamundësisë të shndërrimit të provitaminës D në vitaminë D nën ndikimin e rrezeve ultraviolete, ose në ushqim mungon kalciumi dhe fosfori. Vitamina D luan rol të rëndësishëm në metabolizmin e kalciumit dhe fosforit në gjak.
Lartësia e kalciumit në fillim është normale, kurse më vonë ajo zvogëlohet në gjak. Me këtë rast nxjerrja jashtë e kalciumit dhe fosforit nëpërmjet të fekaleve është e madhe. Baza patologjike-anatomike e sëmundjes është aftësia jo e mjaftueshme e organizmit për ashtërim. Ashti rakitik ka më tepër përbërës organik se sa jo organik, është i butë dhe lakohet.
Kjo sëmundje më tepër paraqitet te fëmijët e vegjël 1-2 vjeçar – rakiti florit ose te fëmijët më të rritur – rakiti i vonuar. Poashtu sëmundja paraqitet te gratë shtatzëne, të cilat lindin fëmijë me rakit fetal. Te nxënësit e moshës 6-14 vjeçare paraqitet rakiti renal.
Për pengimin e kësaj sëmundje duhet të merren masa përkatëse me kohë qysh në fazën intrauterine kur gruas shtatzëne duhet dhënë ushqimi i cili përmban sasi të mjaftueshme të kalciumit dhe fosforit, vitamina D, proteina me gjenezë shtazore dhe duhet rrezitur. Kjo masë vlen edhe për fëmijët parashkollorë dhe të tjerët.
Skorbuti
Kjo është një sëmundje e njohur qysh moti, përpara disa qindra vitesh. Është konstatuar te ata popuj që udhëtonin nëpër dete. Te detarët që kanë udhëtuar një kohë të gjatë është paraqitur sëmundja e cila është manifestuar me gjakrrjedhje në lëkurë, grykën e gojës, dhembje në nyje etj.
Këto simptome pothuaj janë zhdukur krejtësisht kur detarët kanë arritur në bregun e detit, në tokë dhe kanë filluar të ushqehen me pemë dhe perime. Paraqitet sidomos te ta persona që jetojnë nëpër institucione të mbyllura, ku ushqimi kryesisht përbëhet nga qumështi, sheqeri dhe mielli.
Te fëmijët e porsalindur më tepër paraqitet prej muajit 6-15. Sëmundja sidomos paraqitet në muajt e pranverës (prill dhe maj), kur ushqimi përmban më pak pemë dhe perime, kurse ushqimi i konservuar përmban sasi të vogël të kësaj vitamine.
Për ta penguar sëmundjen, respektivisht C-hipotavitaminozën, merren masa të duhura të cilat përbëhen nga sigurimi i ushqimit, respektivisht i pemëve dhe perimeve që përmbajnë sasi të mjaftueshme të vitaminës C. Zakonisht këta duhet të konsumohen në gjendje të freskët, kurse përgatitja termike duhet të zgjasë sa më pak, në mënyrë që të mos bëhet zbërthimi i vitaminës. /Telegrafi/