Telegrafi

Sëmundja godet kopenë, ngordhin 400 dele për një muaj

Fermeri Sherif Limani nga fshati Sopot i Kumanovës, ka pësuar një dëm prej 40 mijë eurove vetëm brenda një muaji, si pasojë e ngordhjes së mbi 400 deleve deri tani, apo mesatarisht nga 12 për çdo ditë.

 

Arsyeja e ngordhjes së deleve nuk dihet, ndërsa reduktimi i kopesë rrezikon edhe pjesën tjetër të saj.

 

Sherif Limani, thotë se veterinerët deri më tani nuk kanë arritur të nxjerrin diagnozë ndërsa kanë përjashtuar sëmundjen ‘Gjuha e kaltër’.

 

Limani i bën thirrje institucioneve shtetërore, t’i dalin në ndihmë.

 

“Tashmë 38 ditë jemi duke u munduar, së bashku me veterinerët. 1000 dele i kam pasur, gjysma kanë ngordhur. I kam edhe 100 dhi, por edhe atyre se 2-3 ditë e njëjta i është paraqitur, u varen veshët, rrinë ulur dhe sillen në vend. Organet e shtetit, nëse mund të na ndihmojnë mirë. Nëse jo, atëherë shëndosh ne”, ka thënë Limani.

 

Punonjësit në fermë përshkruajnë simptomat me të cilat manifestohen tek ngordhja e deleve.

 

Ata thonë se fermerët po i sugjerojnë punonjësve të marrin masa preventive, duke vendosur doreza dhe maska goje.

 

Sipas tyre, institucionet duhet të ndihmojnë pronarin e tyre, pasi nga kjo fermë shumë familje sigurojnë ekzistencën.

 

Nga Ministria e Bujqësisë thonë se nuk janë kompetentë për këtë, por vetëm për subvencionim.

 

Sipas tyre, me këtë çështje duhet merret Agjencia për ushqim, veterinari. Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Veterinarisë, Dime Mitrov, ishte i pakapshëm për prononcim. /KP/