Telegrafi

Sëmundja e murtajës afrikane të derrit shpërthen në shtetet përreth – AUV kërkon të ngritën masat e biosigurisë në ferma

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kërkuar që të ngritën masat e biosigurisë në fermat e derrave.

Kjo kërkesë vjen pas lajmërimeve për shpërthime të sëmundjes Murtaja Afrikane e Derrit ne shtetet përreth.

“Duke u bazuar ne situatën epidemiologjike të raporteve të publikuara ne WOAH (Organizata Botërorë për Shëndetin e kafshëve ), ka lajmërime për shpërthime të sëmundjes Murtaja Afrikane e Derrit ne shtetet përreth, në Shqipëri dhe Mali të Zi tek popullata e derrave të egër”, thuhet në njoftim.

AUV shton se së fundmi janë prekur fermat e derrave të butë në shtetin e Serbisë në afërsi me kufirin e Kosovës.

“Andaj urdhërohen të gjithë fermerët mbajtës të derrave që të ngritin nivelin e biosigurisë ( masat vetëmbrojtëse) në fermat e tyre. Duke aktivizuar barrierat me dezinfektues dhe kufizim të hyrje daljeve në ferma përmes të cilave synohet të mbrohen ekonomitë familjare të fermerëve dhe ekonominë e shtetit”, thuhet tutje në njoftim.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kërkon ngritjen e nivelit të gatishmërisë për institucionet relevante lokale dhe qendrore siç janë: Komunat, MBPZHR, APK, Federata e Gjuetarëve të Kosovës me shoqatat e tyre në nivel vendi, për marrjen e masave të nevojshme për rastet e dyshimta nga tereni.

“Secili qytetarë e në veçanti fermerë duhet të lajmëroj nëse sheh ndonjë derr të ngordhur apo nëse ka dyshime në sëmundje tek ferma. Zyrat regjionale të AUV-së do të pajisen dhe shpërndajnë materialin informues (postera ,broshura ) tek fermës me këshilla të qarta profesionale për parandalimin e përhapjes se kësaj sëmundje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/