Kreu i SHGM-së, Naser Selmani është optimist për reformat në media. Ai e sheh këtë si prioritet të qeverisjes së ardhshme, duke shtuar se shoqatat e gazetarëve kanë dhënë prova të mjaftueshme se cilat masa duhet të ndërmerren, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“E para është që duhet të merren të gjitha masat që të ndëshkohen të gjithë sulmuesit e gazetarëve, dhe gjithë ata që kanë sulmuar ose kërcënuar gazetarë, të dalin para drejtësisë; e dyta është që qeveria duhet të pushojë të ndërhyjnë në sistemin mediatik, gjegjësisht në tregun mediatik, duhet bëhen reforma rrënjësore në servisin publik, RTM dhe çështja e reformës në rregullatorin mediatik i cili po ashtu është i kapur”, u shpreh për TV21, Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Selmani nënvizon se reformat janë të natyrës urgjente dhe ato duhet të bëhen qysh në 6 mujorin e parë të qeverisjes, por vetëm nëse sipas tij, qeverinë e formon shumica e tanishme parlamentare. Për kryetarin e Këshillit për Etikë në Media, Dragan Antonovski, reforma në media duhet të ketë patjetër, por sipas tij, elita politike momentalisht është fokusuar se kush do të qëndrojë ose kush do të vijë në qeveri. Ai vlerëson se reformat në media nuk lidhen me aktorët politik sa lidhen me bashkësinë e gazetarëve dhe dëshirën e tyre për të respektuar standardet e punës./Telegrafi/