Basketbollistët e Kosovës U18 janë duke u stërvitur intensivisht për garat ndërkombëtare.
Përzgjedhësi i Kosovës U18 (M), Ilir Selmani ka folur për rrjedhën e përgatitjeve, atmosferën në ekip dhe synimet në Rumani.
“Përgatitjet po shkojnë sipas planit. Kemi filluar më 6 korrik. Po stërvitemi dy-tri herë në ditë, duke përfshirë edhe vrapimin e fitnesin. Shpresoj se do të përgatitemi sa më mirë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe jam i kënaqur me angazhimin e treguar nga lojtarët deri më tani”, ka thënë Selmani për faqen zyrtare të FBK-së.
Kosova është në grup me Holandën, Gjeorgjinë, Bullgarinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Norvegjinë.
“Grupi është shumë i vështirë dhe do të kemi cdo ditë ndeshje, pa pasur pushim. Sidoqoftë, synojmë të kemi paraqitje të mira. Në Divizionin B, nuk ka kombëtare të lehta, andaj do të mundohemi të zhvillojmë ndeshje të mira”, shtoi tutje Selmani.
Garat në FIBA Kampionatin Evropian, Divizioni B mbahen nga 29 korriku deri më 7 gusht.