Site icon Telegrafi

Pacolli: Njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale të mos ketë afat kohor

Projektligji që përcakton afatin kohor vetëm prej dy vitesh për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pritet së shpejti të votohet në Kuvend. Por i njëjti projektligj po kundërshtohet nga disa organizata.

Ka përfunduar afati për aplikim, për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Komisioni ka përfunduar pranimin e aplikimeve nga aplikuesit nga 5 shkurti. Ligjërisht komisioni nuk ka të drejtë të pranoj lëndë të reja, kjo nuk e ka ndërpre punën e komisionit sepse lëndë të cilat kanë qenë në shqyrtim e sipër tashmë e kanë marr përgjigjen. Në numrin total që kanë aplikuar janë 1939 persona prej të cilave 1549 janë të aprovuara”, tha për RTK, Leonora Selmani, kryetare e komisionit për njohjen e statusit.

Por kundërshtimet për këtë afat dhe kërkesa për zgjatje të tij, janë të mëdha nga ana e organizatave të ndryshme.

Stigma, gjendja psikologjike e të mbijetuarve dhe faktorë të tjerë, pamundësojnë aplikimin në periudha të caktuara, prandaj disa organizata po kërkojnë që ky proces të mos cenohet me afte kohore.

“ Ne nuk jemi dakord me afatizimin e kohës për aplikim, nuk është e mjaftueshme që të mbijetuarit të kenë tashmë më pak se dy vite për aplikim. Në bazë të drejtës humanitare në nivel universal , krimet e luftës janë krime të cilat nuk parashkruhen”, tha Sebahate Pacolli Krasniqi nga QKRMT.

Ndërkohë, për përfshirjen në ligj si kategori të posaçme, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, Kosova qëndron mirë, e madje vlerësohet se këtë e ka bërë më shpejt sesa Bosnja e Kroacia.

“Kroacia vetëm në vitin 2015 i ka pranuar si kategori të  posaçme viktimat e dhunës seksual.Nuk ish dashtë të ketë fare afat kohor, është evidente dhe e dokumentuar gjithkund në botë që 1 në 10 viktimat e raportojnë rastin, pra numri është shume i vogël, dhjetë për qind”, tha: Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar të aplikohet nga viti 2018.

Exit mobile version