Shoqata të gazetarisë në Maqedoni kërkuan nga portali grek “Iefimerida” që t’i publikojë emrat e gazetarëve nga Maqedonia dhe mediave që kanë marrë para që publikisht të mbështesin marrëveshjen e Prespës. Portali nga Greqia këtë muaj publikoi informacione se Qeveria e Greqisë ka shpenzuar shuma milionëshe për korruptimin e mediave të Maqedonisë dhe gazetarë.
Naser Selmani, Kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë insiston që emrat të publikohen, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Letrën deri te portali e dërguam të enjten, me kërkesë të qartë që t’i publikojnë të gjitha emrat e gazetarëve dhe mediave që kanë marrë para nga MPJ-ja greke për promovimin e marrëveshjes së Prespës. Në letër ne shprehim shqetësim tonë për zgjerimin e këtyre spekulimeve, që paraqesin goditje ndaj kredibilitetit të të gjithë gazetarëve në Maqedoni. Ne nuk mund të lejojmë gjysmë të vërteta apo spekulime të tilla, informacione jo të plota që prishin besimin e gazetarëve të Maqedonisë te publiku i Maqedonisë. Ne insistojmë nëse që emrat e mediave dhe gazetarëve, nëse ekzistojnë, t’i publikojnë. Nëse nuk e bëjnë, në letër theksojmë se informacionet e këtilla do t’i konsiderojmë me qëllimkëqija, me qëllim ta përlyejnë reputacionin e gazetarëve nga Maqedonia, të ndikojnë në politikën redaktuese të mediave në Maqedoni dhe të shërbejnë interesave të elitave politike në Greqi dhe në Maqedoni”, deklaroi për “Makfaks”, kryetari Selmani.
Ai kërkon edhe reagim zyrtar nga deri te grekët nga MPJ-ja e Maqedonisë duke thënë se informacioni i publikuar për media dhe gazetarë të korruptuar është ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.
“Për ne është brengosëse që MPJ-ja e jonë deri tani nuk ka reaguar për këto spekulime. Sipas informacioneve të mia, kishte reagim nga MPJ-ja greke që në njëfarë mënyrë konfirmuan se ata kanë një fond të fshehur që e shfrytëzojnë për të promovuar interesat e tyre. Më e pakta që mund të bëj MPJ-ja e Maqedonisë është që të kërkoj informacione apo shpjegim nga MPJ e Greqisë në lidhje informacionet e publikuara në Greqi se ministria e tyre në një farë mënyrë korrupton media dhe gazetarë në Maqedoni për t’i mbrojtur interesat e shtetit grek”, deklaroi Naser Selmani.
Letra deri te portali grek është nënshkruar nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë dhe Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punëtorëve të medias./Telegrafi/