Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj i ka quajtur subjektet tjera politike si grupe kriminale që nuk mund të ekzistojnë pa shefat e tyre.
Selmanaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se LDK është një parti historike e cila nuk mund të konsiderohet demode.
“LDK është e vetmja parti politike. Të tjerat nuk i shoh as parti. Ato janë grupe kriminale të organizuara”.
Deputeti i LDK-së ka thënë se në Kosovë është vetëm një parti politike që funksionon në kuptimin e plotë të fjalës.
“Partitë tjera janë grupe që nëse shefi i tyre bie nga partia, nuk mbetet parti pothuajse fare. Merre AAK-në, shikoje PDK-në, NISMA-n…besa Vetëvendosje është në fazën e formimit si parti politike”.
Selmanaj ka thënë se LDK është parti popullore dhe ka shtrirje në të gjithë Kosovën.
“Në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë që janë zgjedhjet lokale LDK ka dalë e para”.
Deputeti i LDK-së ka thënë se AAK nuk mund të quhet parti politike derisa fati i saj varet nga fati i Ramush Haradinajt.
“Logjika e tyre qeverisëse, pra e PDK-së dhe AAK-së është parapolitike. Nuk është logjikë politike që ofron alternativë qeverisëse. Vendimet se si i marrin, abuzimi me paranë publike. Vendimmarrja për pronat e gjithçka tjetër tregon se këta funksionojnë në logjikën e kleptokracisë, në logjikën e sistemeve si bandat funksionojnë”, tha ndër të tjera Driton Selmanaj./Telegrafi/