Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka reaguar ashpër lidhur me numrin e këshilltarëve të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Selmanaj ka shtuar pyetjen se si është e mundur që Veseli të ketë 15 këshilltarë, ndërsa ish-kryetarët tjerë t’i kenë nga 2, 4 ose 7 këshilltarë.
Deputeti i LDK-së po ashtu ka kërkuar të bëhen publike emrat e këshilltarëve, ndërsa vuri në pah se një pjesë e këshilltarëve të Veselit marrin paga, ndërkaq nuk janë fare në punë, madje as në Kosovë.
“Nuk do e kisha problem numrin po ta kuptoja çfarë nevoja ka kryetari i Kuvendit për kaq shumë këshilltarë? Çfarë pune bëjnë ata? Çka ka ndryshuar nga koha e kryetarëve të mëparshëm, që me 2 apo 4 këshilltarë e kryenin punën më mirë se kryetari aktual që ka 15; pra vetëm 1 më pak se Kryeministri i vendit? A mos kemi një garë mes pushtetesh për numrin e këshilltarëve apo kemi ndërtuar kabinete politike brenda feudeve politike për ambicie dhe qëllime krejtësisht personale. Ta shtrojmë çështjen edhe nga një perspektive tjetër. Cila është kostoja e buxhetit te shtetit për këtë armate njerëzish?”, u shpreh Selmanaj.
Ai tha se përkundër kërkesave të tij për qasje në dokumente publike drejtuar kabinetit të kryetarit të Kuvendit në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, nuk ka arritur të marr përgjigje zyrtare.
“Fillimisht e kuptova që shkaku i mos përgjigjes ishte se shefi i kabinetit Blerand Stavileci ka kohë që nuk del fare në zyre, disa thonin se nuk është mirë me shëndet kurse disa të tjerë thonin që ka një kohe që është jashtë shtetit. Cila është e vërteta unë nuk e di? Por një fakt e di që pagën mujore ai vazhdon ta merr”, u shpreh deputeti i LDK-së.
“Kostoja totale për vitin 2017 vetëm për këshilltarët politik të kabinetit të kryetarit (duke përjashtua edhe stafin tjetër mbështetës) kap shifrën mbi gjysmë milioni euro apo saktë 554.572 Euro”, tha ai.
Selmanaj tha se po ashtu përveç shefit të kabinetit që ka kohë që nuk del në zyre, është edhe njëra nga këshilltaret e Kryetarit që ka 5 muaj që gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vazhdon ta merr pagën e rregullt.
Madje, sipas tij, për një kohë ajo ka marrë edhe të ardhurat për shujtën e ngrohtë që i marrin gjatë kohës sa janë në orarin e punës në Kuvendin e Kosovës.
“Po ashtu ju njoftoj se të ardhurat mujore të këtyre këshilltareve ku përfshihet paga bazë, plus 50% i pagës bazë, plus shujta e ngrohte si dhe përvoja e punës, nxjerr përfundimin se asnjë nga këshilltarët nuk e ka pagën mujore nën 1800 euro, duke përjashtuar privilegjet me makinat zyrtare, shpenzimet e telefonave dhe vizitave jashtë vendit”, tha Selmanaj.
” Jam i sigurt se sot puna me joshëse në sektorin publik është të jesh afër kryetarit të Kuvendit, pavarësisht a kryen ndonjë punë apo jo? Pavarësisht a del ndonjë ditë në zyre apo jo?! Përkundër që nuk kam fare shpresë që shpejt do të ndryshoj kjo qasje, atëherë më mbetet të kërkoj mbështetjen tuaj për rritje të presionit dhe të marrim masa për t’i penguar ata që me kaq lehtësi abuzojnë me paranë publike”, u shpreh ndër të tjera, Selmanaj. /Telegrafi/
Foto: Arkiv