Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se një koalicion tjetër LDK-PDK do të ishte i dëmshëm për Kosovën.
Selmanaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se LDK ende nuk ka qëndrim për koalicionet e mundshme me subjektet tjera por vet është shprehur kategorik kundër një koalicioni me PDK-në.
“Çdo tendencë e kujtdo qoftë për ta bashkuar përsëri LDK-në me PDK-në është shkatërrim i madh për Kosovën. Pak mërzitem për LDK-në sa mërzitem për vendin”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Deputeti i LDK-së ka thënë se e kaluara ka dëshmuar se ky partneritet nuk i ka sjellë asgjë të mirë Kosovës.
“Sa herë LDK-ka ka pasur partneritet me PDK-në, është tradhtuar, është goditur prapa shpine, nuk është lejuar të qeverisë, është penguar në zhvillimin e brendshëm, është penguar në realizimin e programit të saj, etj.”
Selmanaj është shprehur i bindur se në një koalicion të tillë elektorati do ta ndëshkonte përsëri LDK-në.
“Personalisht mendoj se koalicioni LDK-PDK do të ishte lajmi më ogurzi për Kosovën në një periudhë të shkurtër. Më pas mund të ndodh që PDK të demokratizohet…”.
Deputeti i LDK-së ka thënë se të gjitha alternativat tjera për një koalicion me LDK-në do të ishin të mundshme. /Telegrafi/