Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka akuzuar partinë në pushtet, në krye me kryeministrin Kurti, se janë kundër agjendës amerikane për Kosovën.
Reagimi i deputetit Selmanaj, vjen pasi Kuvendi nuk e ka votuar rezolutën e propozuar nga LDK, përmes së cilës ftohej Qeveria e Kosovës për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Washingronit.
“Për ata që ende kanë dilema që qeveria e LVV-së me kryeministrin Kurti janë kundër agjendës amerikane për Kosovën, sot u dëshmua edhe formalisht në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Selmanaj.
“Lidhja Demokratike e Kosovës i ka propozuar sot Kuvendit, Rezolutën me vetëm një pikë të vetme si në vijim:
Kuvendi i Republikës së Kosovës fton Qeverinë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Washingtonit të datës 4 shtator 2020, si dhe të përgatitë plan veprimi, i cili duhet të dërgohet për informim në Kuvend”, ka shkruar ai.
Më tej, Selmanaj ka thënë se “kjo Rezolutë mori mbështetjen vetëm të deputetëve të opozitës, votat e të cilëve ishin të pamjaftueshme për ta marrë miratimin e saj”.
“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme edhe nga administrata e re e Presidentit Biden, për domosdoshmërinë e zbatimit të kësaj marrëveshje, Qeveria dhe shumica parlamentare në Kuvend vendos që të sillet dhe veproj kundër kësaj agjende strategjike të shtetit tonë”.
“Qasja e tillë është kundër Kosovës dhe kundër interesave strategjike për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës”, ka thënë deputeti i LDK-së.
”Vetëm dhe vetëm në kordinim të ngushtë me SHBA-të, Kosova e ka të garantuar perspektivën dhe zhvillimin e saj. Rrugë tjetër nuk ka!”, ka shkruar Selmanaj. /Telegrafi/