Deputeti i LDK-s, Driton Selmanaj ka thënë se buxheti i hartuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2019, është buxhet elektoral.
“Nëse e shikojmë vetëm pjesën që ka të bëjë me kategoritë sociale, kap shifrën 465.8 milionë euro. Nga ana tjetër subvencione dhe transfere krahasuar me vitin 2017, kemi vlerë në rritje 103 milionë euro më shumë. Mallra dhe shërbime 111 milionë euro më shumë. Dhe, nëse e marrim edhe një shembull tjetër, se si Qeveria gjatë vitit 2018 ka marrë vendime lidhur me shpenzimet e paparashikuara, kapin shifrën prej 8.387 milionë euro. Në total, krejt këto dalin 687 milionë euro, 1/3 e buxhetit mund të jetë në funksion të votave, ose të asaj se si mund të fitohen zgjedhjet. Dhe prandaj nëse 1/3 është në këtë funksion atëherë s’mund t’i japim karakter tjetër këtij buxheti, përpos për t’i thënë që ky buxhet është i karakterit elektoral”, u shpreh ai.
Ai ka kritikuar Qeverinë për ndarjen 1 milionë e 200 mijë euro për OJQ-n “Ta Pastrojmë Kosovën”, derisa ka ndarë vetëm 900 mijë euro për blerjen e kontejnerëve nga komunat.
“Mos harroni, një organizate joqeveritare ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, të cilën e kanë moto qe disa vite, ia keni vendosur 1 milionë e 200 mijë euro. Mënyra se si shpërndahen për OJQ-të paratë, ka kritere, ka rregullore, që është aprovuar nga z.Hoti kur ka qenë ministër, nëse 1 milion e 200 mijë euro për një organizatë për pastrim të Kosovës, e komunave për kontejnerë 900 mijë në tërësi, këtu është paradoksi i madh”, tha Selmanaj. /Telegrafi/