Telegrafi

Selmanaj: Pos zyrtarëve policorë, kallëzim penal për dëbimin e shtetasve turq duhet të ketë edhe për urdhërdhënësit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili ishte edhe nënkryetar i Komisionit Hetimor parlamentar për dëbimin e shtetasve turq, ka përshëndetur kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj 22 zyrtarëve policorë në lidhje me dëbimin e shtetasve turq.

Selmanaj në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se ky veprim nuk duhet të ndalet vetëm tek policët që zbatuan urdhrin, por edhe tek urdhërdhënësit.

“Është veprim i Prokurorisë i cili duhet të përshëndetet, mirëpo mendoj që ky veprim nuk guxon të ndalet vetëm me policë, sepse kjo nënkupton që barra bie vetëm mbi ata që e kanë zbatuar urdhrin. Këtu duhet të merren veprime edhe tek urdhërdhënësit. Pra ky veprim nuk nënkupton asgjë nëse nuk arrestohen urdhërdhënësit për dëbimin e shtetasve turq, e që këtu fshihen institucionet vartëse të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe Inspektorati i Policisë së Kosovës ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj 22 zyrtarëve policor në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti./Telegrafi/