Nënkryetari i Komisionit parlamentar hetimor lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, Driton Selmanaj, ka thënë se nëse nuk zbardhet rasti “gylenistët”, nesër çdo qytetar do të jetë në rrezik të kidnapohet.
Selmanaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se sot u pa se Thaçi meriton çdo epitet negativ që mund t’i vendoset dikujt.
“Nuk kemi pritur diçka të madhe nga Thaçi në Komision, por nuk kemi pritur as fyerje dhe epitete të ulëta deri në këtë nivel. Ishte e çartë se ishte një skenar i përgatitur nga Thaçi dhe PDK-ja, pasi dy palët ishin në një linjë”.
Nënkryetari i Komisionit parlamentar hetimor lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ka thënë se Presidenti është ftuar disa herë për t’u intervistuar, por ka refuzuar derisa janë krijuar disa rrethana tjera.
“Tani kanë ndryshuar rrethanat dhe ka pasur një presion nga zyrat ndërkombëtare në Kosovë. Ai [Thaçi] ka ardhur sot në Komision për ta kryer obligimin që t’i thotë presionit ndërkombëtar që “unë isha aty por ata e kanë shkelë ligjin””.
Deputeti i LDK-së ka thënë se institucionet shtetërore nuk munden të heqin dorë nga obligimet shtetërore që kanë.
“AKI ka mandat të mbledh informacione dhe t’i dërgojë ato në institucionet e sigurisë. Nuk mundet AKI-ja të merr pjesë në operacione policore. Çka ka ndodhur te ne. Policia i ka hapur derën për AKI, dhe u ka thënë “hyni në zyre te unë dhe nga kjo zyre menagjoni me operacionin policor”.
Selmanaj ka thënë se nëse dikush tejkalon mandatin, askush më nuk është i sigurt në Kosovë.
“Nëse dikush tejkalon mandatin e tij, a jemi ne të sigurt se nesër AKI nuk do t’u vendos thesin në kokë gazetarëve dhe t’i zhdukë ata”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Nënkryetari i Komisionit parlamentar hetimor lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ka thënë se kjo duhet të jetë një preventivë dhe nuk ka të bëjë me atë nëse gylenizimi paraqet rrezik për Kosovën.
“Problemin ne e kemi me abuzimin e pushteteve. Presidenti Thaçi nuk ka mandat të detyrojë askënd t’i vendos thesin në kokë dikujt”, tha ndër të tjera Driton Selmanaj. /Telegrafi/