Site icon Telegrafi

Selmanaj: Nëse bëhen bashkë LDK-VV, të gjitha tjerat as gjysmën e tyre s’mund ta arrijnë

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj thotë se Ramush Haradinaj e nuhati rrëzimin e qeverisë dhe bëri aktin e dorëheqjes.

Selmanaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini thotë se dorëheqjen Haradinaj e bëri për tu dukur në publik si viktimë e proceseve gjyqësore.

Ai thotë se dorëheqja e Haradinajt dhe ftesa nga Gjykata Speciale nuk kanë ndonjë lidhje mes tyre.

“Do ta mirëkuptoja sikur zoti Haradinaj do të jepte dorëheqje dhe nuk do të ishte pjesë e proceseve politike deri në pastrim të plotë të rolit të tij. Por përfshirja e tij në fushatë tregon se është një lojë politike e tij”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i LDK-së thotë se Haradinaj ka mbajtur në Qeveri tre ministra me aktakuza prej shumë kohësh dhe sipas tij Haradinaj me drejtësinë nuk qëndrojnë në të njëjtën anë.

Selmanaj thotë se zgjedhja më e mirë do të ishte vet shpërndarja e Kuvendit me 2/3 e votave dhe zgjedhjet të mbahen në shtator.

Duke folur për koalicionet e mundshme para ose pas zgjedhore, Selmanaj ka thënë se për LDK-në ndoshta e vetmja zgjedhje ka mbetur rishikimi i një koalicioni me Vetëvendosjen.

“Nëse bëhen bashkë LDK dhe Vetëvendosje, edhe nëse tjerat bëhen të gjitha bashkë nuk mund t’i afrohen as gjysmës së tyre”, tha ndër të tjera Driton Selmanaj./Telegrafi/

Exit mobile version