Telegrafi

Selmanaj, Mustafës: Nëse ata që nuk pajtohen me juve ju ngjajnë në rriqra, “rriqra” ke edhe në LDK!

Kryetari i Deçanit nga radhët e AAK-së, Rasim Selmanaj, përmes postimit të tij në Facebook ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që thotë se “Deklaratat e AAK-së janë si rriqrat e Malishevës”!

“Duke respektuar mendimet e të tjerëve dhe argumentet tashmë të njohura edhe për publikun është mirë dhe e shëndetshme të keni deklarata të matura kur flisni publikisht, sepse jeni kryeministër”, ka thënë Selmanaj.

Lexo po ashtu Mustafa: Deklaratat e AAK-së janë si rriqrat e Malishevës

Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë:

“Interesant kur një kryeministër në mungesë të argumenteve për ta ‘mbrojtur’ një version të gabuar të demarkacionit bie në nivelin e tillë të shprehjeve që nuk i kanë hije një kryeministri të një vendi! Se di ju personalisht a jeni të majtë apo të djathtë, por nuk është reflektim i demokracisë kur bindjet dhe argumentet e kujtdo qoftë i cilësoni si rriqrat e Malishevës!

Duke respektuar mendimet e të tjerëve dhe argumentet tashmë të njohura edhe për publikun është mirë dhe e shëndetshme të keni deklarata të matura kur flisni publikisht, sepse jeni kryeministër!

Kufiri me Malin e Zi nuk është agjendë opozitare, përkundrazi agjendë shtetërore dhe fondamentale për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës!

Nuk është mirë pse juve mendimet dhe argumentet e të tjerëve t’ju ngjajnë në rriqra, ngase nëse ju i vlerësoni kështu, atëherë jeni i rrethuar me ‘rriqra’ edhe brenda LDK-së që ju kanë votuar, por që nuk pajtohen me këtë version të demarkacionit.

Do të ishte mirë të kërkoni zgjidhje dhe përkrahje për të dal nga një krizë të cilën e keni futur vendin.
Me këtë qasje veç sa po e thelloni krizën e cila nuk i duhet Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. /Telegrafi/