Site icon Telegrafi

Selmanaj: Masakra e Dubravës nuk ndodhi rastësisht, Bashkësia Ndërkombëtare mund t’i shpallë heronj kriminelët e kësaj masakre

Kuvendi i Kosovës po mbanë seancë solemne në kujtim të 20 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës.

Në një fjalë rasti, deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj i cili i mbijetoi kësaj masakre ka kujtuar ditën e 22 majit 1999,  ditën kur përjetuan tmerrin më të madh në jetën e tyre.

Lexo po ashtu Hasani: Qeveritë kanë heshtur për masakrën e burgut të Dubravës, Kuvendi të ndërmarr veprime për ngritjen e aktakuzës ndaj atyre që kryen masakrën

“Më 22 maj 1999 , pas natës më të gjatë të jetës sime bashkë me qindra të burgosur, nën qillein e hapur ku vetëm hëna dhe vdekja na bënin shoqëri, vjen zëri i kriminelit  tashmë të njohur për ne, i cili na kërkon që të rreshtohemi gjoja se do të na transferonin pasi që pas sulmeve të NATO-s nuk ka më kushte qëndrimi, mirëpo ne e dinim se nuk do të ndodhte ashtu pasi që njëri nga ne Gazmend Imeri i pari kishte vërejtur lëvizjet e policëve serb”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka shtuar se para tyre u shkrepën breshëri plumbash, minahedhës e granat e dore.

“Njëri prej nesh tha çka do që të ndodh mos të largohemi nga njëri tjetri. Në drejtim tonin u shkrepën breshëri plumbash, minahedhës e granat e dore. Pranë meje të vedkur mbetën Gazmend Imeri e Ibër Metaj, oborri po mbulohej me gjakun e dëshmorëve…”, rrëfeu Selmanaj.

Lexo po ashtu Liburn Aliu i mbijetoi masakrës së Dubravës, thotë se i shpëtoi shumë herë vdekjes (Video)

Selmanaj shtoi se në Burgun e Dubravës deri më sot janë identifikuar 120 të vrarë e qindra të plagosur, në mesin e tyre Gani Lekaj, Hajdar Pepaj, Metë Osmanaj e shumë të tjerë nga komuna e Deçait, si dhe disa tjerë që kanë vdekur duke u malltretuar në burgjet serbe.

Deputeti shtoi se kjo masakër nuk ka ndodhur rastësisht.

“Përmasa e kësaj masakre edhe sot e pandriçuar nuk ka ndodhur rastësisht. Përgjegjës për këtë masakër janë drejtori i burgut, komandanti… Masakra ishte kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë”, tha Selmanaj.

Selmanaj pati edhe një porosi për Bashkësinë Ndërkombëtare.

“Bashkësia Ndërkombëtare ose duhet t’i dënojë ose do t’i ti shpallë heronj kriminelët me emër e mbiemër të kësaj masakre, pasi që sipas Serbisë ata kanë vrarë terroristët shqiptarë”, tha Selmanaj. /Telegrafi/

Exit mobile version