Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj duke shprehur kundërshtimin e tij për tarifën 100 për qind ndaj Serbisë, ka thënë se atë shteti i Kosovës do të duhej ta largonte dje.
Kjo sipas tij duhet të ndodhte pikërisht pse po e kërkon ShBA-ja.
“Kjo temë duhet të përfundojë, ky është një qëndrim personal që tarifa duhej hequr dje, jo nesër. Pikërisht për shkak të Amerikës”, tha ai.
Sipas tij, vendosja e tarifës ndaj Serbisë nuk ka pasur efektin e duhur.
“Me tarifën unë nuk jam i sigurt që kemi arritur me bindë Serbinë, qoftë për ç’njohje, qoftë për pretendime territoriale që i ka”, tha ai.
Me kërkesën e 41 deputetëve nga partitë opozitare, Kuvendi i Kosovës po mban sot një seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimin e kryeministrit, Albin Kurti, për shfuqizimin hap pas hapi të tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. /Telegrafi/