Telegrafi

Selma Blair vuan nga skleroza multiple, aktorja i falënderon të gjithë ata që kujdesen për të në baza ditore

Selma Blair (Foto: Earl Gibson III/Getty Images/Guliver)

Aktorja Selma Blair është diagnostikuar me sklerozë multiple në muajin gusht të këtij viti, ndërsa tash ka vendosur ta ndajë këtë lajm me fansat e saj.

Përmes një postimi në Instagram, 46-vjeçarja i ka falënderuar të gjithë ata që i ndihmojnë në luftën me këtë sëmundje. Ajo ka treguar se duhet t’i ndihmojnë për t’u veshur dhe për nevojat tjera në baza ditore.

“Kam sklerozë multiple. Jam në fazën e ekzecerbimit (keqësimit të sëmundjes). Me lejen dhe vullnetin e Zotit, dhe producentëve të kuptueshëm te Netflix, e kam një punë. Një punë të mrekullueshme”.

“Jam e paaftë. Rrëzohem nganjëherë. Më bien gjërat. Kujtesa ime është e turbullt. Ndërsa ana ime e majtë kërkon udhëzime nga një GPS i dëmtuar. Por, po ia dalim”. Dhe po arrij të qesh, teksa nuk e di me saktësi se çfarë do të bëj, por do ta jap më të mirën”.

Lexo po ashtu Lajmet për Selma Blair

“Që nga diagnostikimi, në orën 10:30 të mbrëmjes së 16 gushtit, po marr shumë dashuri dhe mbështetje nga miqtë e mi…”, ka shkruar mes tjerash Blair, e cila i ka falënderuar me emra të gjithë ata që po e ndihmojnë.


Skleroza multiple është një sëmundje demielinizuese, në të cilën janë të dëmtuar mbështjellësit e qelizave nervore në tru dhe në palcën kurrizore (medulla spinalis). Ky dëmtim e pengon aftësinë e pjesëve të sistemit nervor që të komunikojnë duke shkaktuar një varg shenjash dhe simptomash fizike, mentale dhe nganjëherë edhe probleme psikiatrike. Në simptomat specifike përfshihen problemet në shikim (nistagmus, vizion i dyfishtë, neurit optik), dobësia dhe spazmat muskulore, probleme me ndjesinë, koordinimin dhe baraspeshën, lodhje, dhimbje, vështirësi në kontrollimin e urinimit dhe defekimit, dhe shumë simptoma të tjera.


Aktorja ka rrëfyer se simptomat po i përkeqësohen, mirëpo ka thënë se po jep gjithçka nga vetja që ta vazhdojë jetën në mënyrën sa më të mirë të mundshme.

Selma Blair u bë e njohur me rolin e saj në filmin “Brown’s Requiem” (1998), ndërsa suksesi i saj filloi me rolin e Zoe Bean në serialin komik,  “Zoe, Duncan, Jack and Jane” (1999–2000) dhe me rolin e Cecile Caldwell në filmin “Cruel Intentions” (1999).

Selma Blair (Foto: Joshua Blanchard/Getty Images for Alliance of Moms/Guliver)

Suksesi i saj vazhdoi me komeditë “Legally Blonde” (2001) dhe “The Sweetest Thing” (2002), ndërsa arriti famë ndërkombëtare me rolin e Liz Sherman në filmat fantastikë, “Hellboy” (2004) dhe “Hellboy II: The Golden Army” (2008).

“Storytelling” (2001), “A Guy Thing” (2003), “A Dirty Shame” (2004), “The Fog” (2005), “WΔZ” (2007), “Feast of Love” (2007), “The Poker House” (2008), “Dark Horse” (2011), “In Their Skin” (2012), “Ordinary World” (2016), “Mothers and Daughters” (2016) dhe “Mom and Dad” (2017) – janë disa prej filmave tjerë të rëndësishëm ku ka luajtur aktorja. /Telegrafi/