Trajneri Gyltekin Selimi ka diplomuar edhe zyrtarisht në Programin e Shkollimit FECC (FIBA Europe Coaching Certificate). Ky program ka zgjatur tre vite. Filloi më 2019, por që një vit ishte ndërprerë për shkak të pandemisë me Covid 19. Në fund është bërë certifikimi nga FIBA për trajner.
Programi është mbështetur nga Federata e Basketbollit e Kosovës, që ka përzgjedhur Selimin për këtë program. Më herët janë certifikuar Dritëro Sefaja, Edon Godeni, Petrit Zeqiri dhe Ilir Selmani, gjithashtu që ishin nominuar nga FBK-ja.
“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për tre vite në FIBA Europe Coaching. Në këtë program kanë marrë pjesë trajnerë të Euroligës dhe shumë trajnerë të njohur. Gjithashtu kam marrë mësime nga trajnerët më të mirë. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Kanë qenë tre vite të mrekullueshme, ku kam mësuar shumë. Kemi pasur klinika, detyra, por edhe teste. Kemi shkëmbyer përvoja me trajnerë të ndryshëm dhe kemi përfituar maksimalisht. Falënderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës për mundësinë e dhënë”, është shprehur Selimi për faqen zyrtare të FBK-së.
Por, sa do t’i ndihmojë kjo për të ardhmen? “Gjatë këtyre viteve kam mësuar shumë dhe sigurisht se këtë përvojë synoj ta transmetojë edhe në Kosovë. Ne kemi vëzhguar ndeshjet e grupmoshave U16, U18, U20 dhe ndeshjeve tjera ndërkombëtare. Kemi pasur detyrë të analizojmë ndeshjet, por edhe një lojtar të caktuar. Ka qenë një përvojë, që tashmë shpresoj ta vazhdoj edhe në vendin tonë dhe kontribuojmë për zhvillimin e basketbollit”, ka theksuar tutje Selimi, i cili ka qenë pjesë e programit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës, ku ka qenë trajner i grupmoshës U14. Më herët ka qenë përzgjedhës i Kosovës U18 dhe ndihmëstrajner për këtë grupmoshë.