Site icon Telegrafi

Selimi: Të angazhuar për trajtimin e çdo kërkese të familjarëve të personave të zhdukur

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me u.d. presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, kanë pritur në takim Nusrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”.

Ministri Selimi gjatë takimit ka diskutuar për Projektligjin për persona të zhdukur i cili sipas rekomandimeve të bëra në Koncept Dokument, duhet të ndryshohet edhe Ligji për persona të zhdukur.

Selimi i ka njoftuar të pranishmit se Ministria e Drejtësisë ka hartuar versionin fillestar të këtij drafti mirëpo sipas tij, para se të procedohet tutje ky draft, e ka parë si të nevojshme që të ketë konsultime paraprake me përfaqësuesit e familjarëve me qëllim që të merren parasysh propozimet dhe të adresohen shqetësimet e tyre.

“Si Ministër i Drejtësisë mbetem i përkushtuar në trajtimin dhe adresimin e kërkesave të familjarëve të zhdukur duke e marrë parasysh çdo rekomandim i cili e kompleton këtë Projektligj”, tha Selimi.

Nga ana tjetër Kryetarja e Kuvendit dhe U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se do të ofroj mbështetje institucionale dhe do të ketë angazhim të shtuar në çështjen e personave të zhdukur, duke konsideruar çdo bashkëpunim si me familjarët e familjeve të personave të zhdukur poashtu edhe me të gjitha institucionet relevante.

Kumnova ka falënderuar  Selimin për angazhimin dhe bashkëpunimin e ofruar dhe ka theksuar se sqarimi i fatit të personave të zhdukur, duhet të jetë një përparësi dhe të trajtohet me vëmendje të veçantë nga institucionet e Kosovës dhe të ngritët si çështje edhe në bisedimet me Serbinë.

Selimi e ka siguruar Kumnovën se do të ketë përkrahje institucionale në kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur dhe do të angazhohet që përfaqësuesit e këtyre familjarëve të jenë pjesë e çdo diskutimi apo iniciative e cila prek këtë çështje. /Telegrafi/

Exit mobile version