Site icon Telegrafi

Selimi takohet me ambasadorin Minxhozi: Roli i shtetit shqiptar i pazëvendësueshëm në avancimin e proceseve në vend

Mistri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ministri Selimi gjatë këtij takimi ka vlerësuar angazhimin e ambasadorit Minxhozi, si dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për vëmendjen dhe besnikërinë me të cilën ndër vite shteti shqiptar e ka shoqëruar Kosovën.

“Në takim u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë dypalësh, koordinimin dhe intensifikimin e aktiviteteve me interes për të dyja vendet, me qëllim të arritjes së objektivave të përcaktuara nga dy qeveritë”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Drejtësisë.

Ministri Selimi po ashtu theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri, në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe çdo hallkë tjetër të sistemit të drejtësisë.

Me këtë rast Ministri Selimi e ka njoftuar Ambasadorin Minxhozi me ecurinë e reformave në drejtësi, agjendën legjislative si dhe nismat e tjera përfshirë procesin e llogaridhënies dhe vettingut.

Në anën tjetër Ambasadori Minxhozi ka falënderuar ministrin Selimi për bashkëpunimin e ofruar dhe ka shprehur gatishmërinë për të përkrahur çdo nismë e cila është në funksion të konsolidimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version