Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi gjatë të hënës është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, me të cilin ka diskutuar për fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ndërsa u tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë partner për Republikën e Kosovës në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Në njoftim thuhet se ministri Selimi ka përmendur angazhimin në avancimin e kornizës ligjore që ndihmon në reformimin e sistemit të drejtësisë, identifikimin dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe trajtimin me prioritet të lartë të masave që ka prodhuar nisma reformuese e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit disa prej të cilave do të finalizohen gjatë njëqind ditëshit të parë të qeverisjes.
Selimi gjatë këtij takimi tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet partner i shtetit të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Drejtësisë, andaj në këtë kontekst ai kërkoi që Britania të jetë përkrah Kosovës edhe në procesin e llogaridhënies.
“Qeveria Britanike mbetet partner kyç ndërkombëtar që mbështet konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Andaj, për ne është e rëndësishme që procesi i llogaridhënies të bashkë dyzohet me hisedarët tjerë, siç janë Britania e Madhe, ShBA-ja dhe BE-ja, të cilët kanë kontribuar për një kohë të gjatë në Kosovë”, tha Selimi.
Ndërsa, Abbott tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë partner për Republikën e Kosovës në luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe në forcimin e shtetit të së drejtës. /Telegrafi/