Gazeta amerikane The New York Times ka botuar në rubrikën “Letra” një shkrim të ushtruesit të detyrës së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, i cili e ka quajtur korrekt shkrimin e kësaj gazete që flet për rekrutimet e ISIS në Kosovë. Por, aty ka theksuar se nuk janë marrë parasysh përpjekjet e Qeverisë për luftimin e radikalizmit. Sidoqoftë, Selimi ka thënë se Kosova nuk do të mbetet peng i ekstremistëve islamikë.
“Shkrimi ‘Kosova, tokë pjellore për ISIS-in’ (Seria ‘Sekretet e Mbretërisë’, faqja e pare, 22 maj) thekson saktë problemet e kaluara të cilat Kosovës ia kanë shkaktuar të rinjtë e radikalizuar dhe Shteti Islamik. Por, ai nuk njeh në mënyrë adekuate përpjekjet që qeveria ime ka bërë për të luftuar këtë të keqe.
Reagimi i Qeverisë sime ndaj interpretimit gjithnjë e më radikal të islamit ka qenë i fuqishëm. Ligjet e reja kundër terrorizmit kanë mundësuar arrestimin dhe dënimit e atyre që shkojnë për të luftuar në radhët e ISIS-it në Siri. Sot janë më pak se 60 kosovarë pjesëmarrës në luftën siriane, që paraqet një rënie rekorde në Evropë.
Ne jemi duke kontribuuar aktivisht për koalicionin global kundër ISIS-it. Sekretari i Shtetit, John Kerry, ka theksuar në një vizitë të fundit në Kosovë se kosovarët janë udhëheqës rajonalë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, po ashtu ka vlerësuar rolin aktiv të Kosovës në promovimin e dialogut global ndërfetar në një raport të vitit të kaluar.
Kosova nuk mund të mbahet peng nga një grup i vogël i ekstremistëve të dhunshëm fetarë, interpretimi absolutist i islamit i të cilëve është në kundërshti të madhe me traditën tonë laike”, ka shkruar ai. /Gazeta Express/