Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë se nuk do t’i komentojë deklaratat e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas arrestimit të nënkryetarit të kësaj partie dhe kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.
Selimi tha se mëton të shtyjë përpara moton që politika t’i mbajë duart larg drejtësisë.
“Me të marrë mandatin ne e kemi pasur një moto të kësaj ministrie edhe mendoj që këtë moto e ka përqafuar edhe e tërë Qeveria, që politika duhet t’i mbajë duart larg drejtësisë. Ne kemi organe kompetente që merren me këtë çështje dhe unë nuk kam koment për asnjë deklaratë, por unë mëtoj ta shtyjë përpara këtë moto që politika t’i majë duart larg drejtësisë. E duart në këtë rast nuk janë vetëm ligamentet duart, por edhe në aspektin metaforik si çfarëdo ndikimi që është në drejtësi”, tha ai.
Të premten e kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e Istogut, nën dyshimin për keqpërdorim detyre, konflikt interesi dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
E dje kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një konference për media kishte kërkuar që rasti i Rugovës të trajtohet nga Prokuroria Speciale./kp/